Trajneri i kombëtares shqiptare parashikohet të eksperimentojë në ndeshjen miqësore që luhet në Antalia të Turqisë sidomos me repartin e mbrojtjes dhe sulmit.
Kombëtarja shqiptare zhvillon sonte në orën 17:00 kundër Bjellorusisë ndeshjen e saj të fundit për vitin 2013. Takimi i parë pas renovimit të kontratës së teknikut, Gianni De Biasi për të drejtuar kuqezinjtë edhe për edicionin e kualifikimeve të evropianit, Franca 2016, luhet në Antalia të Turqisë.
Pas mungesave në mbrojtje, për shkak se nuk kanë udhëtuar Mërgim Mavraj e Loret Sadiku të lënduar, ai mendohet se do të angazhojë Renato Arapin dhe Ermir Lenjanin. Për këtë të fundit, lojtar i St Gallenit në Zvicër, ky pritet të jetë debutimi i tij në fanellën kuqezi. Arapi ishte preferuar si zgjedhje para Tefik Osmanit, transmeton sporti1.com
Hapësirë në mesfushë pritet të ketë edhe Ledian Memushaj, i rithirrur pas një kohe.
Edhe në sulm pritet që risi të jetë, Armando Sadiku i cili para pak ditësh zyrtarizoi kalimin e tij nga janari te FC Zurich.
Federata shqiptare e futbollit për të gjithë tifozët shqiptar që gjenden në Antalia ka ofruar bileta falas për ndeshjen.