Xhani De Biasi do të jetë edhe për dy vite të tjera në krye të kombëtares shqiptare. Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë italiani i bankinës kuqezi mesditën e së mërkurës, kur ka dhënë një konferencë për shtyp pas kthimit nga Qipro në mjediset e FSHF-së.
Kësisoj merr fund edhe dilema se cili do të jetë strategu i përfaqësueses sonë në futboll në fushatën eliminatore të Evropianit 2016. De Biasi do ta vijojë punën e nisur rreth 2 vite më parë, kur mori stafetën e të ndjerit Josip Kuzhe, kroatit pararendës të tij në krye të kombëtares shqiptare. Italiani pohoi se do ta vazhdojë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke mbyllur çështjen e diskutuar prej kohësh mbi rinovimin apo jo të kontratës së tij, raporton “PanoramaSport”.