(Kushtrim Ymeri: Në dritoret e jetës; Ars Clubi ”Beqir Musliu”; Gjilan, 2018)
Prej dritares shpirtit; Mbi gjethet e kësaj vjeshte; Nëpër ëndrra më sheh; Kokën time në ty kam mbështetur, janë katër ciklet sugjeruese të librit me poezi Në dritoret e jetës, të cilat na shpijnë në kënd shikimet poetike të jetës së të riut Kushtrim Ymeri.
Mehmetali Rexhepi
Titulli i vëllimit poetik Në dritoret e jetës, përkufizon përcaktimin e ndjeshmërisë të një përmase të hapur metaforike, e cila mëton zbërthimin e ngërthyer të së bardhës; ose mësymjen drejt bardhësive të ngërthyera brenda lëvozhgash të vrazhda e gjembore të veçantive të jetës.
Shpalimi i ndjeshmërisë përmes vargut fillon nga lënda e parë e minierës së hershme gjithënjerëzore e të pashtershme; në të cilën kurrë nuk reshtën së gërmuari shpirtrat e ndjeshëm, subjektet lirike, për t`iu dhënë trajtë atyre gjetjeve poetike, varësisht prej mundësisë depërtuese në shtresimet e nën shtresimet e kuptimit të ngërthyer, të xehes së pleksur mes dherash e fjalësh të fjalorit tejet të gjerë të jetës. Ai fjalor i ngarkuar me emocione të qeta e të vrullshme, të ëmbla e dëshpëruese, mozaikë ngjyrash të ftohta e të ngrohta, me batica e zbatica emocionesh, pamjesh, kumte të fshehta e sipërfaqësore, reflektimesh figurative të imagjinatës e magjikes… Do shpaluar me kujdes… Aty ka një thesar zemre që preket dhe të prekë…
Në këto vargime poetike, subjekti lirik nuk priret të fsheh konceptimin e prejardhjes së dashurisë. Pa e ndërlikuar konceptin, dëftimi i varg-shkruesit, në trajtën e gegërishtes, e pohon drejtë për së drejti: Andja q`i s`dihet mirë nga vjen
Asht dashunia”
Që në nisje subjekti lirik nuk hyri në labirinte lakoresh e përsiatjesh për to a për çudinë e botës. Pra, për këtë subjekt graviteti i baraspeshës njerëzore: Asht dashunia. Mirëpo, ky konstatim pohues do të ishte krejtësisht sipërfaqësor, sikur të mos shfaqej një lloj trajte e lehtë e habitores, sepse:
Ajo t`ban me shikue menduem
Prej dritares t`shpirtit
S`vyshket as vjetrohet
E din me kanë muzg n`aguj
e ag n`muzgje. (Andja q`i s`duket mirë nga vjen)
Ëndja do të mund të ishte e mirëfilltë, kur shikimit të saj prej dritares së shpirtit i prinë mendimi, ngase bashkimi i këtyre dy kategorive fondamentale do t`i japin qartësi perceptimit të së mirës, të vërtetës, të sinqertës, të së bukurës që nuk vyshket, as vjetërsohet, por mbetet ideal etik e jetik i artit të shkruar. Kështu do të jetë, gjithnjë për të mos u tjetërsuar në kontrastet e jetës, as me ngjyrën, as me përmbajtjen, as me qëllimin fisnik të cilin e përfaqëson. Pa dyshim, këtu, te ky subjekt poetik vërehet ndikimi i një përvoje më të pjekur, ose një lexim jo plotësisht i asimiluar, për të ngrehur një ndërtim të këtillë të kontrastit, i cili njëkohësisht brenda vetës reflekton dhe antinomi: …muzg n`aguj
e ag n`muzgje.
Variacioneve të amorit
Leximi i lehtë i morisë së vjershave të Kushtrim Ymerit sjell variacione të një amori rinor, që nga Dashuria e parë; Mbrëmjes së vonë; Si harrohet ajo; Dhe s`të gjej askund, që sipas vërejtjes sime, titulli te kjo poezi nuk ka të bëjë fare me përmbajtjen përkatëse; mandej vijojnë: Të gjej kudo; Çasti i një nate nëntori ku diskursi poetik mbulohet nga përshkrimi prozaik; Qyteti pa ty dhe disa tjera.
Një tipologji e tillë variacionesh intime, vazhdon edhe në vjershat tjera të kësaj natyre, pa lodhje nga leximi a kapja e nëntekstit, pos aty-këtu hasim shtjellime ideore-figurative interesante, përkitazi rrethit tematik e motivues të mjedisit intrigues:
A nuk po e sheh mike e dashur
Se koha na shikon si ujk i uritur
Në ciklin Mbi gjethet e kësaj vjeshte variacionet lirike të intimes, Kushtrim Ymeri arrin t`i thellojë e zgjerojë përmes një fjalori me konotacione poetike të motivuara më bindshëm, qoftë për shpërfaqjen e atmosferës, qoftë për gjetjen e figurës e cila nxjerr prodhime lirike-figurative, ku do të vigjilonte ideja poetike, në atë mënyrë që të mos ngufatet nga diskursi shpjegues. Poezia prej njëzetë e pesë vargjesh Vjeshta dhe ti, dëshmon për kapërcimin e nivelit të flashkët të vjershërimit, të rritjes së përgjegjësisë për thënien artistike dhe shmangie të skematizmit.
Mendoj, se nuk e cenojmë aspak autorin e ri, duke ia nënvizuar disa ndërtime të pa qëmtuara me kriterin e qëmtimit artistik, shprehje pa skalitje të mjaftueshme, që do të ishin më depërtuese për t`i bartur pamjet drithëruese dhe idetë, fjalët e fjalëzat, specifikën dhe universalen, joshjen e lexuesit dhe thellimin e më tejshëm të preokupimeve të tija.
(Sh)faqja poetike e shkrimit nuk është thjesht një faqe e bukur femre. Ajo, më shumë se kaq, është shfaqje e provokimit artistik për egocentrizmin e njeriut, ndonëse modeli i këtij provokimi (po)etik nuk është kurdoherë ai më i duhuri, por këtu i bie në kokë ndërgjegjes:
Ty nuk të magjepsin sytë e tij
As fjalë të ëmbla shpirti që dalin fluks
Të bënë për vete çasteve të një dite
Flori, para e i shtrenjti luks. (Dorasi i dashurisë)
Fjalori artistik i Kushtrim Ymerit në disa poezi, arrin të zbërthejë ndjeshmëri emocionale dhe t`i vijëzojë caqet estetike të së bukurës, të qëmtojë vargje e figura të kontrasteve, gjendje antonimike të një sintakse poetike ku frymon e lëviz lirshëm imazhi vetjak, brenda caqesh e hapësirash të natyrës, të cilat për çdo ditë ia ngushtojnë kapilarët e oksigjenit kthesat marramendëse të dinamikës bashkëkohore.
Modernia vjen me mburrjen e shartimeve artificiale të asaj që natyra na e fali, si një kryevepër e pa-kapërcyer me gjithë huqet dhe hiret e saja të madhërishme.
Rreth kësaj poezie, e cila në këtë paraqitje para lexuesit në trajtën e këtij vëllimi, dalin premtuese kapjet e reflektimeve artistike, që besojmë do ta dendësojnë funksionin ideor-artistik në të ardhmen, sikurse pamje të tilla kur figura e krahasimit zbërthen gjendjen shpirtërore mes dy kontrastesh:
Nga vetja s`iket
Nga afshi që rritet
Si hije pasditeve (Mbi supin tim)
Trokitjet e mallit mërgimtar
S`do mend, ky varg-thurësh yni, duket, se pos tjerash, e ka lexuar me pasion poezinë e Sabit Rrustemit, ngase vërehen tiparet e një tipologjie të tillë, por nuk është i vetmi ai, që ka preferenca dhe preferon yllin e tij prijatar, ose si një model drite, ose për t`i dhënë më shumë dritë yllit të vet, i cili do të formësohet…
Mënyra se si i shprush ëndrrat dhe se si i thurë fijet e intimes, konsiderojmë se janë premtuese për këtë eksplorues të ri të vargut, siç na paraqitet në këtë libër të parë, Kushtrim Ymeri.
Ai e artikulon qartë prekjen e ndjenjës së mallit mërgimtar në mjedisin urban, gjendjen emocionale, prore të pashkëputur e në përkim me motivet, me shtytjen e tyre që i sillen vërdallë, gjithnjë tej cakut të një egoje të vetëkënaqur, nëpërmjet një kënd-shikimi me horizont të mbyllur, që mëton hapjen e gjithanshme… Kjo ndjeshmëri e tij merr shtrirje të gjerë, duke përfshirë relievin e larguar të truallit, të vendlindjes, borën dhe shiun metaforik të mallit dimëror, pranveror, veror e vjeshtor, shqiptimin e disiplinuar të atij malli pa patetikën e një fillestari, i cili po hyn në magjinë fisnike të shkrimit me besimin në artin e fjalës.
Përkundër mjedisit Alpin, zemra e subjektit lirik nuk mund t`i ketë rrahjet e ftohta, as shikimet që nuk e shkrijnë bardhësinë e ngrirë mes tij dhe asaj, sepse kultivon referencën e ngrohtësisë, të shkrirjes së akujve dhe shuarje të etjes në rrjedhën e ujit kristalor.
Trokitjet e mallit dhe vetmia mjedisin e përditshmërisë e bëjnë të fryjë përherë klimë e ftohtë, larg një zemre, që do t`ia shpeshtonte rrahjet e ngrohta zemrës tij. Ky është një motiv i fortë për ta ndjerë këtë zemër rinore, për t`iu afruar si hisedar çiltërisë tij, pa pozë, pa maskë sipërfaqësore.
Pas fshehjes të subjektit poetik prapa vetës së dytë, tek poezia Kësaj nate ndoshta po fle, Evelinë, referenca figurative gjeti adresën e personazhit të adhuruar, të emërtuar Evelinë. Mirëpo, lektisjet vazhdojnë, duke marr trajta përsiatjesh për ta zgjuar ëndjen e ndërsjellë, të asaj dashurie bredharake hapësirës së pafund të gjithësisë. Një dashuri e atillë e pakapshme i jep shtytje idesë, ndaj: Kësaj nate ndoshta po fle, Evelinë
Nëpër ëndrra më sheh.
Nga motivet e sferës intime, me reflekse të cilat e ngjyrosin tipiken e ndjeshmërisë së tillë të jetës, cikli poetik Kokën time në ty kam mbështetur, i qaset tematikës së përkushtimit atdhetar, pothuajse të pashmangshme për çdo fillestar, për t`i dhuruar atdheut ndjenjat më sublime në letër.
Plagët e urtisë
Si paraqitet ligjërimi i përkushtimit për atdheun në vargjet e përmbledhjes poetike Në dritësoret e jetës të Kushtrim Ymerit?
Duke pasur parasysh eksplorimin e gjatë e të dendur të kësaj tematike, si dhe përvojën e shkurtë të përballjes së autorit përkitazi kësaj lënde të shquarjes së identitetit, si lexues dhe vlerësues, pritjet e mia për risi nuk kishin nuhatur joshje… Le ta them troç: ndoshta parandjenja ime ishte e gabuar? Mes dyshimit e pohimit është forca ose ligështia e varg-shprehjes, simbolet e përzgjedhura dhe përshkrimet deklarative…Megjithatë, vargje si këto, për mënyrën e identifikimit të unit poetik të autorit, krejtësisht në mënyrë organike me temën jetike dhe etike të atdheut, prekin plagën e dhimbjes sonë:
Në trupin tim dhe në trupin tënd
Nuk ka asht që nuk na dhemb
Në shpirtin tënd dhe në shpirtin tim
Asnjë natë e qetë s`është deri n`agim
(Një ligjërim i shkurtër për atdheun)
Një shtjellim kësisoj identifikues me tematikën e atdheut përçon dhimbjen e flijimin, që i shfaqet brezave si amanet:
Se At`dhe në këtë botë, veç një e kam.
Më tej ciklit të fundit, poezitë bartin frymën e sakrificës përmes personazheve historikë, të shenjtët tanë: Adem Jashari e Agim Ramadani; urtarët e lëvrimit të kujtesës, të imagjinatës e të mençurisë: Beqir Musliu e Ibrahim Rugova; mandej personazhet e dhimbjes për jetë-prerje të hershme, si Ilir Asllani e Astrit Dehari.
Pos reflektimeve ironike, vargjet, figurat stilistike në këtë vëllim, nga kënd-vështrimi ideor, nuk shmangën urtinë, fondamentin kapital njerëzor, sepse pikërisht urtia është burimi i pashtershëm i paqes. Këtu, ky autor, duke marr rolin e pleqnarit të odave, pa dashas përjashtoi poetin dhe mbeti në hijen e një pajtimtari, si një vetëdije qortuese e korrektuese.
Duke qenë pikë së pari një lexues i kujdesshëm, i gëzohem premtimeve të sinqerta të çdo letrari të ri, veçmas Kushtrim Ymerit!
Autorit përgëzime për librin, lexuesve lexim të këndshëm!
________________
( E lexuar më 8 dhjetor 2018, në Bibliotekën e Re të Gjilanit, me rastin e përurimit të këtij libri, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” )