Kombëtarja e Kosovës U21 i ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025, kundër Polonisë, më 8 shtator si mysafire dhe më pas kundër Gjermanisë, më 12 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, njofton FFK.
Dardanët e rinj nën udhëheqjen e përzgjedhësit Afrim Tovërlani dhe stafit të tij kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, ku munguan vetëm Andi Hoti dhe Dion Krasniqi, të cilët iu bashkuan ekipin më vonë për shkak të obligimeve me klubet e tyre.
Tovërlani është i vetëdijshëm se ekipin e tij e presin dy ndeshjet shumë të vështira, kundër dy rivalëve më të fortë në Grupin D, por thotë se djelmoshat e tij do të përgatiten për paraqitje sa më të mira.
“Këto janë dy kombëtaret më të forta në grup. Qysh në fillim kam theksuar se nuk do t’i frikësohemi askujt, por do të jemi korrekt dhe do t’i marrim me qetësi të dyja ndeshjet sepse kemi të bëjmë me dy ekipe shumë të forta. Është herët të flasim për gjasat tona, sepse kemi zhvilluar vetëm një ndeshje. Do të jemi të hendikepuar me mungesën e Emërllahut dhe Letajt, të cilët janë lënduar dhe do të operohen. Si rrjedhojë nuk do të mund të llogarisim në shërbimet e tyre as në ndeshjet e tetorit e nëntorit”, është shprehur Tovërlani, njofton FFK.
E sulmuesi anësor i Malishevës, Drilon Hazrollaj është shprehur i lumtur që është pjesë e Dardanëve U21 për këto dy ndeshje tejet të rëndësishme.
”Është ndjenjë e papërshkrueshme të luash për Kombëtaren e Kosovës. Kjo është një ëndërr për të gjithë futbollistët. Shpresoj që do ta dëshmoj formën e njëjtë siç e kam treguar në kampionatin e Kosovës dhe ta ndihmoj Kombëtaren sa më shumë në ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar Hazrollaj, njofton FFK.
Nesër Kombëtarja U21 ka paraparë t’i zhvillojë dy seanca stërvitore në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq. Seanca e paradites mbahet në orën 10:00, kurse ajo e pasdites në orën 17:30. /2LONLINE/