Njëmbëdhjetë vjet më parë, djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës së Karadakut, të rënë në tokën dhe për tokën e Kosovës, u rivarrosën në të njëjtin vend – në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan.
Këtë përvjetor, qytetarët e Gjilanit, veçanërisht familjet e dëshmorëve, e përjetojnë më ndryshe se herëve të tjera, sepse tash atje, punimet për ngritjen e memorialit për dëshmorët, veç janë duke u zhvilluar me iniciativën e komunës.
Me rastin e këtij shënimi, të pranishmit i ka uruar kryetari i Veteraneve të Luftës së UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ahmet Daku. Ai kërko nga institucionet komunale, që Dita e Dëshmorëve të zyrtarizohet.
Daku shprehu kënaqësinë që komuna po e financohen memorialin kushtuar dëshmorëve të kësaj komune, i cili i ka munguar deri tani. Ai uroi familjet e dëshmorëve për këtë ditë të ribashkimit të dëshmorëve.
Sipas drejtuesit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, komuna e Gjilanit ka rreth 60 dëshmorë.
Ndryshe, kreu komunal i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka folur për projektin Qendra Memoriale që ka nisë të realizohet duke thënë se ky projekt po realizohet me përkushtimin më të madh.
“Projekti ka nisë dhe dinamika e punës është e mirë. Projekti po bëhet kujdesshëm dhe me përkushtim të madh nga punëkryesi”, ka thënë Mustafa, për ti uruar familjet për këtë ditë.
Ai ka shprehur dëshirën që për çdo shënim të kësaj dite të dalim me nga një projekt kapital për komunën.
Ndërsa ish komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, në urimin e tij për ditën e dëshmorëve, para familjarëve dhe pjesëmarrësve tjerë në këtë manifestim, ka kërkuar ta rrisim motivin që ta bëjmë shtetin e Kosovës ashti siç e kanë dashur dëshmorët
“Sa herë takohemi më 17 shtator, ndjejmë dhembje për më të dashurit tanë, por jemi edhe krenar në të njëjtën kohë për luftën titanike që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të qenë ne të lirë. Ndaj, ta rrisim motivin që ta bëjmë shtetin e Kosovës ashti siç e kanë dashur dëshmorët”, ka thënë Isufi./2lonline/