Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, të dielën, një ditë para fushatës zgjedhore për balotazhin e 1 dhjetorit, iu ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të bëjnë fushatë të qetë.
Daka është shprehur se pret që në fushatën pesëditore të balotazhit të mos ketë ashpërsim të fjalorit politik. “Nga të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve të 1 dhjetorit, kërkoj të sillen në bazë të rregullave zgjedhore dhe ligjit mbi zgjedhjet”, ka deklaruar Daka për “Epokën e re”.
Daka ka shtuar se mesazhi i saj është që edhe kjo fushatë të jetë e qetë sikurse ajo e 3 nëntorit.
“Shpresoj që partitë politike do ta respektojnë fushatën dhe do të sillen në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Prandaj, nuk besoj se do të ketë ashpërsim të fjalorit politik”, ka thënë Daka.