Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se ky institucion është duke punuar me orar të stërzgjatur për të qenë sa më të përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 8 qershor.
“Zotimi ynë është se do të punojmë maksimalisht dhe do të bëjmë çdo gjë që është në mundësitë tona, qoftë fizike apo ligjore, që zgjedhjet të organizohen ashtu siç duhet. Deri më tani kemi dhënë maksimumin dhe jemi duke punuar me orar të stërzgjatur që nga stafi i thjesht e deri tek unë”, ka thënë Daka në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Kryetarja e KQZ-së ka paralajmëruar se fletëvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë me logo të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën e veriut. “I kemi aprovuar fletëvotimet, e kemi aprovuar dizajnin e fletëvotimit dhe tani jemi duke pritur vetëm të hedhet shorti dhe të vendosen emrat e subjekteve politike dhe të dërgohen fletëvotimet për t’u shtypur.
Fletëvotimet do të jenë me logo të Republikës së Kosovës për tërë territorin e vendit”, është shprehur Daka, duke shtuar se përgatitjet për këto zgjedhje janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë me planin operacional.
Daka ka thënë se organizimi i zgjedhjeve në veri nuk do të jetë sfidues sikurse në 2013-n prandaj, sipas saj, OSBE-ja do ta ndihmojë KQZ-në vetëm në katër fusha specifike. Shefja e KQZ-së u ka bërë thirrje partive politike të bëjnë fushatë mbi bazën e programeve politike e jo me gjuhë agresive.
“Sa i përket fushatës zyrtare, e cila do të fillojë javën e ardhshme, kërkoj nga subjektet politike që kjo fushatë të jetë sa më e drejtë, të jetë fushatë në kuadër të ligjeve. Partitë politike të fokusohen në programet e tyre duke i ftuar qytetarët të dalin në numër sa më të madh për të votuar.
Pra, të jetë një fushatë e qetë, pa gjuhë agresive dhe pa incidente”, ka deklaruar Daka. Ajo ka thënë se subjektet politike nuk janë duke e shkelur ligjin me fillimin e parafushatës meqë një gjë e tillë ndodh në çdo vend të botës.