/2L ONLINE/ – Gjilani, për të cilën po thuhet se tani më e ka të vulosur epitetin e një qendre kulturore mbarëshqiptare, brenda vitit organizon ngjarje të rëndësishme kulturore, ku ndër to si më e rëndësishme vlerësohet të jetë edhe Manifestimi “Flaka e Janarit”, një manifestim që ngërthen në vete aktivitete të shumta kulturore përgjatë pothuajse një muaji. Por, ky manifestim, seç e ka një hall me juritë profesioniste që si duket nuk po i përfillin kriteret e organizatorit kur janë në pyetje çmimet që duhet ndarë, por diçka s’po shkon as me organizatorin që s’po gjen dot zgjidhje për këtë çështje, pasi gjërat po i përsëriten.
Është fjala për çmimet që parashihen të jepen, pas vlerësimit të jurisë përkatëse, për ato aktivitete kulturore të karakterit garues, pasi ka raste kur disa nuk jepen fare, ka raste kur palët pretendojnë se ka pas huqje për çka jepen, apo edhe çmimi ndahet përgjysmë sepse kështu vlerëson juria e cila ia jep të drejtën vetvetes për të marrë vendime të tilla! Ndërsa, organizatori, ose po vihet para aktit të kryer e s’po di çfarë të bëjë kur kjo po i ndodh, ose nuk po di me ja qartësua jurisë qysh në fillim, se çfarë e kanë për detyrë të bëjnë, dhe gjërat të jenë të qarta qind për qind, para se të merren vesh mes vete, për të mos dalë e paaftë siç po del.
E në manifestimit e këtij vitit të “Flakës…, që është në prag të përfundimit ( përmbyllet sonte), kjo është vënë në dukje në masë më të madhe pasi kemi pas rastin kur në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, ndonëse organizatori kishte paraparë të jepeshin tetë çmime, u dhanë vetëm pesë, ngase ashtu vlerësonte juria. Bile sipas informacioneve që kemi, fillimisht ishte menduar të jepeshin vetëm dy çmime, por pas këmbëngulësisë së organizatorit juria “ka lëshua pe” dhe ndau pesë çmime nga tetë sa ishin paraparë.
Nuk u dhanë çmimi për shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë dhe skenografinë më të mirë sepse vlerësimi i jurisë doli të jetë i tillë që asnjëra nga tetë shfaqjet e dhëna, përgjatë shtatë mbrëmjeve, nuk ia kishte mbushur syrin, duke nxjerrë përfundimin se asnjëra shfaqje nuk e paska merituar ndonjërën nga këto çmime. Mund të jetë edhe kjo e vërtetë, por atëherë në mesin e tetë të këqijave vlerësohet njëra më pak e keqe, por se çmim duhet ndarë!
E një vërejtje u dha edhe për atë se juria e vlerësoi me çmim, një aktore për rolin dytësore, por që erdhi reagimi nga autori i dramës njëherësh dhe regjisor, se në fakt kemi të bëjmë me një rol kryesor, në rastin përkatës. Apo një rast interesant e i ngjashëm kishte ndodhur edhe më herët në një “Flakë… “ të mëparshme kur juria për të motivuar aktorët e rinj në skenë kishte vlerësuar me çmimin për aktorin me perspektivë një aktor që nuk e kishte “sefte’ para publikut, por kishte vite në skenë.
Paramendoni shembull një aktivitet të zgjedhjes së Miss-it, për mos me u zgjedh bukuroshja e parë, sepse juria vlerëson se nuk është “boll e hijshme”për Miss. Më kujtohet një pyetje jo naive, por sa për humor, e një miku, kur kishte parë Miss Botën, për t’u shprehur se: “Si more kjo qenka më e mira në botë, në mesin e milionave femrave, kur unë vetëm në klasën time i kam dhjetëra shoqe më të bukura?) Por në fakt, ai e dinte se Miss Bota nuk do të thotë se është femra më e bukur në botë, assesi, por është femra më e bukur e vlerësua në mesin e bukurosheve konkurruese në atë ngjarje që mund të jenë dhjetëra sosh.
Sido që të jetë, iku edhe kjo “Flakë….” dhe organizatorit i mbetet që vitin e ardhshëm me i nda “dhentë e dhitë”, mirë, me këdo që do ta angazhojë në jurinë përkatëse të Festivalit të Dramës Shqipe, ose të vazhdoj tutje njëjtë, të tregohet e paaftë.
Po ashtu edhe në aktivitetin tjetër kulturor “Pena e Flakës”, e cila grumbullon poetë nga trojet shqiptare dhe në frymën e garimit kërkon fituesin e “Penës…” që duhet të jetë poezia më e mirë e orës letrare, po del që është bërë shprehi tani më që disa vite, që të kemi ndarje të çmimit përgjysmë, mes dy krijuesve, që i bije se “Pena po thyhet përgjysmë” sepse po kemi dy fitues, e një çmim. Edhe kjo është e pakuptimtë kur zakonisht juritë janë në numër tek dhe se në çfarëdo situate të krijuar kur anëtarët e jurisë nuk po mundkan të përcaktohen për njërin prej dy poetëve/poezive që po e vlerësuakan se duhet fituar çmimin, i nxjerrë nga kjo situatë kollaj mekanizmi i votës.
Do të ishte mirë që në “Penën…”, e radhës më 2017, organizatori t’ua bëjë të qartë jurisë përzgjedhëse se duhet t’i respektojë kriteret dhe puna e tyre është veç ta bëjnë përzgjedhjen e një të vetme poezi fituese të Orës Letrare, e jo ndonjë mision tjetër, qoftë edhe emocional, dhe të mos lëshoj pe, e të pajtohet me jurinë, siç bëri edhe tani, për t’u ndarë çmimi mes dy poetëve.
Po ashtu praktikë jo e mirë ndër vite shihej edhe te konkursi anonim në poezi e prozë ku kemi ndarje të vendeve të caktuara mes dy krijuesve, që fatmirësisht këtë vit, kemi veç një rast të tillë, te tregimet, kur vendi i dytë iu kishte dhënë dy konkurruesve, sepse di të jetë edhe më i theksuar, si do vite më parë, kur kishte raste kur edhe vendet e dyta edhe të tretat si në poezi si në prozë, herë pas here, kishin nga dy fitues. Sidoqoftë edhe kjo duhet eliminuar. /2L ONLINE/