Shkruan: Arsim Kastrati
Ç’ka Kosova që bie në vështirësi, mu në kohën kur kundërshtarja e saj, ishte në halle të mëdha, për shkak të aventurave të çmendura të Rusisë dhe presionit europian për t’ju bashkëngjitur sanksioneve ndaj saj?!
Ç’ka Kosova që ngecë mu në kohën kur e ka një mik të fortë, president në Amerikë?!
Ç’ka kjo politikë e Kosovës që nuk e shfrytëzon rastin e volitshëm por e dërgon “lojën” në vazhdime dhe ia lehtëson presionin kundërshtares së saj?!
Ç’janë këta hapa që nxitojnë të bëhen bashkëfajtorë krizash që duan të ruajnë statuskuo, kthejnë mbrapa dhe shterojnë durimin e politikës ndërtuese e paqësore euroatlantike?!
Koha ka ecë e gjërat kanë ndryshuar dhe shumë nga ne ende nuk po e vërejnë, që Europa dhe Amerika duan të miqësohen me Serbinë!
Dhe kjo s’do të duhej t’na pengonte neve – parimisht!
A do të duhej ta lejonim veten tonë që Europa dhe Amerika të na thonë se, ka gati një dekadë, që nuk po e përkrahim agjendën e tyre gjeopolitike?
Hipotetikisht dhe praktikisht, nëse Serbia e bashkërendon politikën e saj me BE-në dhe Amerikën, përderisa problemet e Kosovës me të, ende të mos jenë zgjidhur, kam frikë se atëherë ‘vallja’ ballkanike mund të bëhet edhe më e ngatërruar për hapat tonë!
Çudi, si Kosova paska mundësi me i prishë marrëdhëniet me Amerikën, që e ka çliru, e ka bërë shtet dhe është garantuesja e vetme e ekzistencës së saj?!
Ç’hall ka Kosova kur duket sikur nuk i beson Amerikës kur ajo thotë se, nuk do të lejojë as ndarjen e as defunksionalizimin e saj?!
Akrepat e orës pandalshëm sillen dhe për askënd nuk punojnë! /2LONLINE/