Ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë Aleksandër Vulin, ia ka arritur qëllimit që të premten të qëndrojë në Kosovë pa u arrestuar.
Por për të bërë një gjë të tillë, atij i është dashur të bëjë dy veprime të “dhimbshme”. Politikani më nacionalist i qeverisë aktuale të Beogradit ka hequr uniformën që simbolizon zinë dhe mosdorëzimin për Kosovën, si dhe i është dashur të nënshkruajë një kërkesë të palës kosovare që ministrja e Integrimeve të Republikës së Kosovës Vlora Çitaku ta vizitojë Preshevën, shkruan Tribuna.
“Vizita është zyrtarizuar. Ajo do të ndodhë të hënën”, i kanë thënë gazetës burime diplomatike. Sipas të njëjtave burimeve, gjatë javës së ardhshme do të merren vendime edhe për vizitat e dy ministrave tjerë të Qeverisë së Kosovës, atij të Financave Besim Beqaj dhe ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani. Të dyve, sipas burimeve do t`u lejohet vizita në Luginë.
Gazeta ka provuar që të marrë konfirmimin zyrtar nga ministrja Çitaku, por kontakti me të ka qenë i pamundur.