Në bisedimet me Serbinë, klasës politike të Kosovës i nevojitet një përgatitje profesionale, një i ashtuquajtur „Koncept i Harvardit”,siç jepet në libër -standardet e teknikës së negociatave nga autorët; Roger Fisher, William Ury dhe Bruce M. Patton (2002).
Deri më tani Republika e Kosovës arriti shumë pak në këtë dialog.
Nga: Zejnullah Jakupi
Së pari, u nxitua me intervenimin në Veri gjatë vitit 2011 dhe nga atëherë, kjo politikë, edhe pse Kosova ishte shtet i pavarur, i pranuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ajo krijojë rrethanat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës. Përmes Fusnotës të miratuar nga kosovarët, Serbia, si humbëse e konfliktit të armatosur gjatë vitit 1998/99, fillojë të rikthehet si faktor në diktimin e politikës së dialogut. Kur e kuptojë se ndarja e Kosovës ishte e pamundur u përpoq ta shfrytëzojë rastin me „Zajednicën“, ta bëjë një “Republikë Serbe” brenda Kosovës. Nga 2006 e këndej Kosova ka negociuar me Serbinë, por koha më intensive ka qenë nga koha pas intervenimit në Veri nga viti 2011.
Pala Kosovare hyri në negociata pa strategji të qartë. Ajo vazhdimisht ka lëshuar pe dhe ka bërë koncesione të pandërprera, edhe pse ndërmjetësuesi në Bruksel premtonte liberalizim të vizave për kosovarët, por ato premtime nuk u plotësuan deri tani.
Enver Robelli gazetar i Kohës Ditore dhe i asaj zvicerane „Tages Anzeiger“ ka shkruar se e gjithë „kjo komedi, krejt këto lëshime që janë bërë janë shoqëruar me përbetime se Serbia de fakto e ka pranuar Kosovën edhe me premtime se BE do të heq vizat. Nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra.
Ndërkohë qytetarët i kanë duruar këto parti. Shumë bile i kanë zgjedhur këto parti. Ndërkohë dikush ka gërryer vendin (gurthyesit!), tjetri është marrë me transaksione nëpër banka turke. Korrupsioni është bërë stil sundimi. Nëse kjo dekadë mund të përshkruhet me një fjali, atëherë me këtë: duke e vjedhur Kosovën ndjellim edhe kthimin e Serbisë në Kosovë ose prishjen e kufijve të Kosovës. Dhe mos harroni: këto parti ende janë në pushtet…”
Aq sa ka problem Kosova me dialogun ka edhe Serbia, por kjo e fundit po arrin të jetë më dinake dhe po del fituese. Madje Gjykata Speciale e krijuar për të dënuar krimet e luftës, më së paku merret me krimet që i kanë kryer aparati shtetëror i ish- pushtetit të Sllobodan Millosheviqit dhe grupet paramilitare.
Subjektet politike të Kosovës; LDK, PDK, NISMA etj, deri tani nuk arritën që t´i bëjnë Serbisë trysni në bisedime për të kërkuar llogari për masakrat e kryera nga forcat serbe gjatë vitit 1998/99. Klasa politike kosovare nuk arriti ta ngris çështjen për „Srebrenicën e Kosovës“ e cila sipas z. Robelli “gjendet para Beogradit. Në Batajnicë. Varr masiv me 1000 kufoma shqiptare. Të gjithë civilë. Burra, të rinj, gra, fëmijë. Ne vendin e krimit nuk ka një pllakë të vetme që përkujton viktimat. Politikanët serbë nuk kanë kërkuar falje. Nuk kanë nderuar viktimat. Nuk kanë dënuar kriminelët e luftës. Po politikanët e Kosovës? A kanë kërkuar që si kusht për bisedime me Serbinë së paku të vendoset një pllakë përkujtimore për viktimat shqiptare të varrosura në Batajnicë?“
Tema e diskutimi se a kishte gjenocid në Kosovë të ushtruar nga forcat serbe gjatë vitit 1998/99, mbetet akoma në diskutim. Deri më tani as juristët gjermanë nuk e kanë sjellur një ekspertizë të qartë rreth kësaj teme. Sipas Konventës së OKB-së nga viti 1948 nocioni i Gjenocidit ´Crimes against humanity´përfshin – vrasjet, shfarosjet, skllavërimin, deportimin apo veprime tjera ushtruar ndaj një popullësie civile për shkak të bindjeve të saj politike, raciste apo religjioze…Pra, civilët shqiptarë janë vrarë, janë deportuar dhe varrosur, madje edhe janë fshehur dhe qëllimi ka qenë për ta pakësuar/reduktuar në numër popullsinë, për ta shkatërruar ate ose për ta shfarosur, për shkak të bindjeve të tyre politike, religjioze apo edhe etnike. Krimet e luftës vetëm sa i ngarkojnë në masë të madhe proceset negociatore dhe dialoguese dhe procesin e pajtimit. Prandaj, shpesh, akterët politik e sidomos ata kosovarë, kanë hequr dorë nga kërkimi i përgjegjësisë për autorët e krimit nga koha e luftës.
Mbase politikanët tanë, përfshirë këtu juristët ose Akademinë e Shkencës së Kosovës, nuk janë marrë sa duhet me këtë sensibilizim dhe nuk e kanë kuptuar sa duhet rëndësinë e saj. Tani, në vend se të kërkohej një definim rreth gjenocidit se a ka patur në luftën e Kosovës apo jo, sepse kjo deri më tani është mohuar, përveç në rastin e Srebrenicës, kemi në të njëjtën kohë, si përgjigje negative, një lloj hakmarrje nga ana serbe e cila na vije si bumerang, me akuzën e ngritur nga Gjykata Speciale. Siç dihet, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe nëntë ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së besohet se janë përgjegjës për gati 100 vrasje. Prokurorët në Hagë i akuzojnë ata për krime kundër njerëzimit. Sipas definicionit krimet kundër njerëzimit janë baraz me gjenocid. Ekspertët serbë dhe ndihmësit e tyre kanë gjetur fushëveprim për ta sensibilizuar këtë çështje dhe ja kanë arritur qëllimin.
Lidhur me gjenocidin autori Boris Barth (2006) argumenton se definicioni për gjenocidin përmbush kriteret edhe në kohë paqeje kur një grup i caktuar ose anëtarët e saj vrasin anëtarët e një partie politike, kur urrehen ose konsiderohen si rrezik potencial kundër pushtetit. Gjithashtu autori në fjalë, përmend disa lloje të gjenocidit si; gjenocidi kulturor, latent, ritributiv, ulitarian, etnozid, femizid, demozid, policid, ekozid, auto-genozidi, lingucid. Në të gjitha këto raste, kriteri përmbushet edhe nëse nuk i vret pjesëtarët e një grupi, por ke për qëllim t´ua shkatërrosh identitetin, ambientin jetësor, etnizitetin, gjuhën, kulturën, bindjen politike, religjioze etj. Në definicionin e gjenocidit zë hapësirë edhe përpjekja e një grupi, rezhimi apo një strukture ndaj një tjetri duke infektuar, shpërndarë një sëmundje, një virus, për ta shkatërruar, për ta reduktuar numrin e popullsisë.
Shtrembërimi i konceptit demokratik nga elemente totalitare në sistemin politik të Kosovës
Lidhur me elementët e tillë nuk na ka faj Serbia. Siç dihet edhe pse Kosova e njohur si Protektorat Ndërkombëtar dhe më pas nga 2008 e shpallur si shteti pavarur, i mbrojtur nga KFOR me liritë themelore, shtet demokratik, e republikë parlamentare, shikuar sipas konceptit të funksionimit të partive politike, duket sikur disa nga këto parti kanë funksionuar dhe vazhdojnë të funksionojnë sipas konceptit të totalitarizmit të viteve 1950, siç përmendin autorët Friedrich dhe Brzezinski, në konceptin e tyre teorik. Në thelb, mentaliteti i këtyre partive (ose disa elementëve të tyre) shkon deri aty sa ato kanë futur teknika moderne të sundimit dhe instrumenteve të tyre – e po sikur tu lejohej, ato do e sillnin në rend të ditës sundimin një-partiak, e do fiksoheshin tek qëndrueshmëria elitiste për ta atomizuar elitën më të lartë akademike përmes terrorit fizik, dhe atij psikologjik duke ushtruar monopol ideologjik edhe ndaj medias, shoqërisë civile, ashtu siç edhe e bëjnë në fakt, ose e kanë bërë nga viti 1999.
Mentaliteti negocius i cili duhet ndryshuar
Siç thamë, Serbia me strategjinë e saj arriti të bëhet faktor në dialog. Kosovarët përdorën negociata të buta ndërsa serbët të forta. Ai që negocion butë dëshiron t´i shmangej konfliktet personal. Pala kosovare ishte e prirur të bëjë koncesione për të arritur një marrëveshje të tillë. Por kjo u keqkuptua ose u manipulua nga pala serbe dhe madje po shfrytëzohej nga ajo. Negociatori i fortë, në këtë rast, Serbia, e konsideron çdo situatë si një betejë vullnetesh në të cilën ajo palë extreme dikton më mirë dialogun. Madje Serbia, zakonisht, sa herë merr një pozicion më ekstrem dhe na paraqitet më e padurueshme, filluar nga viti 2011 ajo del vazhdimisht fitimtare.
Bashkësia ndërkombëtare nga ana e saj ka synuar që palët të lëvizin midis të ngurtës dhe të butës; duke kërkuar kompromisin mes tyre: ajo dëshiron të arrihet marrëveshja e dëshiruar, duke kërkuar të mos shkatërrohen të arriturat e deri-tanishme.
Edhe pse Bashkësia Ndërkombëtare si palë ndërmjetësuese kërkon të mos kundërshtohen interesat e njëra-tjetrës, dhe se duhet të kishte insistim drejt rezultatit i cili duhet të bazohet në parime të drejta dhe të datuara në vullnetet e ndërsjella, rezultatet deri tani ishin të vështira.
Serbia vazhdimisht përdorë hile dhe si gjithmonë infiltron shfaqje imponuese. Gjithsesi duhet konkluduar se dyja shtet akoma janë larg negocimit faktik, siç e përshkruan Koncepti i Harvardit, ku tregohet se si të arrihet ajo për të cilën kemi të drejtë pa u sjellur keq me anën tjetër, përmes »principled negotiation«.
Negocimi parimor
Edhe pala serbe dhe ajo kosovare duhet njëherë e mirë të mësohen të mos bëjnë pazar për pozicionet. Nga kjo del se çdo tip i negociatave duhet të bazohet në tre kritere: Ajo duhet të sjell rezultate të arsyeshme; marrëveshja duhet të jetë e mundur. Ajo duhet gjithashtu të jetë efikase dhe të përmirësojë marrëdhëniet midis palëve ose të paktën të mos i shkatërrojë ato.
Një marrëveshje e arsyeshme mund të përkufizohet si më poshtë: të jetë e ligjshme dhe t´i ket maksimalizuar interesat e secilës pale. Pastaj ajo duhet të ketë një përmbushje; një zgjidhje të drejtë për konfliktet e interesit; të jetë e përhershme dhe t´i vejë në llogari interesat e përgjithshme të palëve të përfshira në konflikt.
Mangësitë e palëve gjatë gjithë këtyre viteve dukeshin sheshit: Gjatë nogocimit kishte më shumë emocione se sa pozicione. Autorët e Konceptit të Harvardit rekomandojnë që të ndahen emocionet nga pozicionet, sepse qeniet nuk janë robotë. Njerëzit kur kanë emocione të forta, ata e kanë vështirë për të komunikuar qartë. Sepse, në këtë rast, egoja njerëzore identifikohet me pozicionet e tij. Për këtë shkas duhet të bëhet dallimi mes njeriut si qenie njerëzore dhe problemeve të tija. Pra, duhet të ketë koncentrim tek interesat e palëve dhe jo tek pozicionet. Prandaj, dyja palët, para se të provojnë një përfundim të marrëveshjes, sipas mundësive, të mos kërkojnë përfitim të një anshëm, por një përfitim reciprok për dyja palët. Sepse, kur interesat kundërshtojnë drejtpërdrejt njëra-tjetrën, ndodhë që një partner negociues arrin një rezultat të “favorshëm” thjesht, përmes kokëfortësisë. Me këtë arritje shpërblehet pamundësia dhe arrihen rezultate arbitrare.
Rasti i marrëveshjes (zotimit) në Uashington
Kosova, siç dihet, mbajti një anë të butë, ndërsa Serbia të fortë, kurse ndërmjetësuesi- SHBA-ja ofronte zgjidhje. Kosova thoshte; duam të arrijmë marrëveshje dhe bënte koncesione për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa Serbia kërkonte koncesione për mundësuar marrëdhëniet. Kosova nga ana e saj dëshironte ndryshimin ose lëshimin pe në kërkesat e saja, ndërsa Serbia kërkonte përforcimin e pozicionit të saj dhe SHBA- ja kërkonte rezultat, kërkonte nga palët të kishin besim tek njëra tjetra, ajo kërkonte beneficione të barabartë për dyja palët.
Deri sa Kosova kërkonte pëlqim, njohjen reciproke nga Serbia e cila do ishte e përshtatshme për dyja palët, Serbia e mohonte atë. Ajo përqendrohej në pozicionin e saj. Asnjëra palë nuk dëshironte t´i nënshtrohej presioneve, por dëshironte që ato t´i shtohen vetëm palës kundërshtare.
Por, me sa shihet, deri më tani, mentaliteti ballkanik nuk e kupton sensin negocioues ose nuk dëshiron ta kuptojë atë. Me ketë rast, siç rekomandon Koncepti i Harvardit, secila palë duhet të mësojë t´i kuptojë interesat e palës tjetër: duhet të ketë përfillje të interesave të dyja palëve. Ato duhet të përafërohen, të pajtohen, për të arritur marrëveshjen e arsyeshme.
Kjo bëhet e mundshme nëse e bënë ndarjen strikte të njerëzve nga trajtimi i problemeve. Me këtë rast palët mund ta kontaktojnë njëra-tjetrën menjëherë dhe shprehimisht të komunikojnë mes veti si qenie njerëzore. Në këtë mënyrë mund të arrihet një marrëveshje miqësore. Në këtë drejtim akoma nuk ka filluar asgjë.
Dy palët kanë interesa themelore: Njëra prej tyre ka të bëjë me subjektin e negociatave, ndërsa tjetra me marrëdhëniet personale. Secila palë po kërkon marrëveshje, të cilat kënaqin interesat e saja objektive. Por pak po investohet që secila palë të ketë interes për marrëdhëniet të mira me palën tjetër. Ato duhet të sillen si një tregtar, i cili dëshiron të bëjë fitim dhe në të njëjtën kohë dëshiron ta fiton blerësin si një klient të rregullt.
Prandaj, është thelbësore për secilën palë që marrëdhëniet dhe negociatat e ardhshme të promovohen dhe jo të dëmtohen. Duhet të kihet kujdes, sepse marrëdhëniet personale shpesh përzihen lehtësisht me problemet e ardhshme. Për të arritur tek një marrëveshje duhet të kemi parasysh të kuptuarit se si dhe çfarë mendon ana e kundër për ne. Ana e kundërt është e dobishme pikërisht për zgjidhjen e problemit tonë. Ose atë çfarë ndien për ju ana e kundër, ai është problemi juaj.
Para së gjithash në këtë pikë duhet ti dallojmë tre faktorë; Përfytyrimi, emocioni dhe komunikimi. Së pari, mundohemi ta kuptojmë se çfarë mendojnë serbët për Kosovën dhe kosovarët, pastaj t´i kuptojmë emocionet e tyre gjatë negocimit dhe kur shohim se ka pengesa dhe keqkuptime, atëherë i vije radha komunikimit, për t´i qartësuar ato. Diferencat mes palëve nuk janë reale, por vizatohen, krijohen në kokat e njerëzve. Si për shembull frika. Ajo është realisht e pabazë, por reale për individin i cili e projekton, ose kur e ndien atë, dhe kështu që në fund të fundit, asaj duhet t’i kushtohet vëmendje.
Sado e dobishme që mund të jetë soditja reale, objektive zgjidhja, në fund të fundit përcaktohet nga këndvështrimi i të dy palëve. Dhe, kjo çasje hap rrugën për një zgjidhje. Këtu vihen në shprehje motoja: Vihu në pozitën e tjetrit. Pra, vetëm kur një palë biseduese në këtë rast, kur Serbia e njeh Kosovën, ose vetëm atëherë kur ajo ta vërë vehten në pozitën e saj, pra kur politikanët serbë, vihen në pozita të politikanëve shqiptarë dhe anasjelltas, vije mirëkuptimi dhe vije deri te zgjidhja e problemit. Ata (serbët) për momentin e shohin atë çfarë duan ta shohin, se Kosova është ´zemra e Serbisë´ dhe se, sipas tyre, (Kosova dhe Metohija) iu është marrë me dhunë gjatë konfliktit të armatosur 1998/99 nga NATO dhe është përkrahur nga Perëndimi që të pavarësohet. Ata i shohin vetëm gabimet e të tjerëve, ndërsa tek vetja i shohin më shumë meritat e veta, por jo meritat e anës tjetër. Negociatori i sukseshëm duhet ta sheh edhe anën tjetër të medaljes, të vihet në situatën e tjetërit. Mos të mendohet se ana tjetër gjithmonë e bënë atë çfarë ju nuk keni dëshirë se do e bëjë. Nga kjo gjendje vazhdimisht njeriu krijon dyshime dhe kjo ndikon negativisht në gjetjen e ideve të reja për ta kuptuar anën e kundërt. Mos ja lërë fajin për problemet tua vetëm anës tjetër, ashtu siç bëjnë dy palët, Kosova dhe Serbia gjatë bisedimeve. Serbia madje nuk e pranon as faktin se ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë (1998/99). Nëse veprohet me akuza, njëra palë ndaj tjetrës, atëherë pala e sulmuar do të mbrohet, do i kundërvihet. Atëherë ajo vështirë se do të dëgjojë palën akuzuese dhe do e godas atë me një kundërsulm. Nga këto reagime vetëm vështirësohet çështja faktike e problemit. Prandaj, duhet të bisedohet me dy palët se si e mendojnë zgjidhjen, çfarë përshtypje, sugjerime (pikëpamje) kanë ato për problemin në fjalë? Kur bisedat zhvillohen pa konfrontime, kur njëra palë e dëgjon tjetrën, ka mundësi pastaj të fitohet përshtypja serioze prej secilës, secila palë të ketë mirëkuptim për palën tjetër. Koncepti i Harvardir rekomandon gjithashtu me sa vijon: Krijo befasi, krijo vendime të cilat ana tjetër nuk do t´i priste. Mos shko si armik në bisedime por si partner. Autorët e librit sjellin shembullin e Presidentit të Egjiptit Sadat në Jeruzalem në nëntor të vitit 1977. Izraelitët shihnin Egjiptianët si armiku i tyre, të cilët ata katër vite më parë i kishin sulmuar. Sadat donte ta ndryshonte atë nocion dhe për ta bindur Izraelin se edhe ai dëshironte paqen, ai fluturoi në kryeqytetin e “armikut”. Në vend që të jetë një armik Sadati veproi si partner. Pa këtë ndryshim dramatik paqja midis Egjiptit dhe Izraelit vështirë se do të ishte e imagjinueshme të arrihej.
Në këtë rast vlen shprehimisht porosia me sa vijon: Ruaje fytyrën, kjo do të thotë pajtohu dhe bazo sugjerimet tuaja mbi sistemin e vlerave të të tjerëve. Palët nuk duhet të ndihen keq, por as ne as ata nuk duhet t´i themi nesër njëri-tjetrit: “Ne kemi fituar dhe ju keni humbur”.
Në dialogun e ardhshëm asnjëra palë nuk dëshiron të dal si humbëse, e nënvlerësuar, prandaj duhet formulimi për takimin e ardhshëm, i cili duhet të jetë i balancuar, ashtu siç e bënë një vendim gjyqësor. Ruajtja e fytyrës do të thotë, një konventë, parime e partneritet negociues dhe i cili duhet edhe të respektohet nga dyja palët.
Ethet e emocioneve ballkanike
Sidomos kur kemi të bëjmë me argumente të vështira, siç ishin ballafaqimet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë negociatave, vërejmë se emocionet janë më të rëndësishme se sa thelbi i bisedave. Palët mund të kenë gatishmëri ta luftojnë njëra-tjetrën se sa të jenë të gatshme për një zgjidhje bashkëpunuese, sepse ato, në shumë raste, së pari vërejnë vijat ndarëse dhe jo bindjet e përbashkëta, prandaj ato ndihen të kërcënuara. Si vijim i kësaj gjendje mund të thuhet se emocionet e njërës palë shkaktojnë ose nxisin emocionet e anës tjetër. Emocionet krijojnë frikë dhe zemërim dhe zemërimi kthehen në frikë. Emocione në negociatat shpesh çojnë në një rrugë pa krye dhe ndërprerjen e tyre. Prandaj duhet t´i njohim emocionet e tona, por edhe të palës tjetër. Kjo vlen për dy palët, sepse akoma, as shqiptarët e as serbët nuk e kanë tejkaluar ´ylberin´.
Negociatorit ballkanik, siç rekomandohet në libër do duhej t´i thuhet: Mundohu të shkruash çfarë ndien, ndihesh nervoz, ke frikë etj. Mundohu ta përshkruash si duket, çfarë emocionesh ka ana tjetër. Kur bisedo me palën tjetër mundohu ta kuptosh atë si njeri dhe jo vetëm si përfaqësues të një organizate, përfaqësues të një shteti etj. Edhe pala ndërmjetësuese mund të ketë vlerësime tjera. Mundohu ta kuptosh se edhe ata kanë ndjenja, emocione, se edhe ata kanë frikë. Ndoshta edhe karriera e tyre mvaret nga këto bisedime. Mundohu ta gjesh shkakun e emocioneve, a mos janë ato ndenja subjektive, familjare ose mos janë çështje ekzistenciale. Prandaj duhet t’í artikulojmë emocionet dhe të pyesim a janë të arsyeshme? Ndihmojë palës tjetër t´i reduktojë emocionet, t´ua mundësosh t´i artikulojnë brengat e tyre. Dëgjo deri në fund brengat e tyre dhe mos i ndërpre ose të reagosh, para kohe, sepse kështu do hedhesh benzinë mbi zjarr. Lëre njëherë të “zbrazet” pala tjetër. Trego shenja simbolike, si p.sh në dashuri, përmes dhurimit të një trëndafili. Një vizitë, një fjalë të mirë, një gjest, një darkë e përbashkët është më e suksesshme se sa një kërkim-falje formale.
Negociatorët serbët dhe shqiptarë nuk komunikojnë mirë dhe në mënyrë të sinqertë. Shpesh ata nuk flasin mes veti ose nuk i flasin njëri-tjetrit, por ndërmjetësuesve ose anës së tyre, publikut të tyre.I provokojnë ata për pjesëmarrje, për ta fituar tek ta simpatinë dhe jo të komunikojnë për të arritur diçka të mirë mes palëve në bisedime. Ata nuk kujdesen që pala tjetër të ju dëgjojë me vëmendje dhe shpesh në raste tilla duhet të përsëritet pyetja ose sqarimi i bërë, për shkak se secili e mendon vetëm atë çfarë dëshiron ta thotë, se si të dal faqebardhë tek facilitatori i bisedimeve apo tek populli i tij. Gjithashtu duhet evituar keqkuptimet të cilat ndodhin në bisedime dhe të cilat janë edhe më të shpeshta kur palët flasin në disa gjuhë të ndryshme. Jep ta kuptosh, tek ana tjetër se je duke dëgjuar me vëmendje bisedën e tyre, pikëpamjet e tyre, pra, dëgjimi me vëmendje është i rëndësishëm.
Nëse përsërisni argumentin e palës tjetër më mirë se ata vet, atëherë ju keni shans të mirë për të bërë një dialog konstruktiv dhe askush nuk do të mund t´ju akuzojë për keqkuptimet eventuale. Folni qartë në mënyrë që pala tjetër të mund të ju kuptojë. Shikojeni palën tjetër në sy, si një mik me të cilin po bisedoni për një projekt të përbashkët. Komunikimi në rrethe të ngushta private, pa prani të medieve është më i përshtatshëm për marrëveshje dhe bisedime. Flisni më shumë për anën tuaj se sa për palën tjetër. Më mirë është të thuhet: “Na keni lënë të vetëm në këtë proces” se sa të thoni: “ Nuk e keni mbajtur fjalën” dhe edhe më keq, sikur të thoni; “Ju keni dezertuar”… etj. Në vend se të thoni: “Ju jeni një racist” duhet të shpreheni me fjalët: “Ne po ndihemi të diskriminuar”. Mos flitni pa menduar mirë, rezervohu me informacion, që t´i thoni ato para kohe! Duhet ta mendoni një prolongim të ngjarjes, të negociatave. Koncentrohu në interesat dhe jo në pozicionime. Duhet të kemi kujdes në rastet e tilla, sepse nevojat themelore të njeriut janë mbi të gjitha: Siguria, jetesa ekonomike, ndjenja e përkatësisë, të qenurit i njohur nga të tjerët dhe vetëvendosja. Flisni qartë rreth interesave tuaja. Kuptoni interesat e të tjerëve sikur të ishin tuajat, si pjesë të problemit. Shikoni përpara, mos u ktheni në të kaluarën. Flisni për çështjet dhe mos i anashkaloni njerëzit, lidhjet njerëzore. Kërkoni më tepër të rrisni numrin e opsioneve të cilat duhet të shumohen dhe jo të kërkohet vetëm një zgjidhje. Kërkoni përfitime për të gjitha palët; zhvilloni sugjerime që do t´i ndihmojnë të tjerët.
Për të sjellur vendimet e mira, kur jemi tek idetë, të mos gjykojmë nëse këto ide janë të mira apo të këqija, realiste ose joreale (brenda një pale). Të keni parasysh; Torta duhet ndarë në mënyrë të barabartë mes palëve dhe jo të thuash; copën e vogël për ty, ndërsa të madhen për mua!!! Në vend të kësaj sjellje të keqe, kërko përparësi, përfitime për dyja palët. Kërkoni interesa të përbashkëta tek palët. Kërcënimet nuk sjellin gjë!
Për fund: Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2020
Ashtu si sillemi, ashtu i kemi rezultatet. Duhet pranuar; dyja palët nuk kanë negociatorë të mirë, prandaj ashtu edhe i kemi punët, në hendek. Sa i përket Marrëveshjeve të Dialogut Teknik (2011-2012), sipas këtij raporti, KE kërkon nga palët të plotësohen detyrimet e zotuara të cilat nuk janë duke u zbatuar ose po zbatohen vetëm pjesërisht. Të dy palët duhet të qëndrojnë të përkushtuara në zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forume rajonale.
Pasojat e kësaj ngecje janë pasqyruar edhe në Marrëveshjen e IBM-it. Sipas këtij raporti thuhet se nuk ka pasur progres në krijimin e pikave të kalimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, siç përcaktohet në marrëveshjen në fjalë. Serbia fajësohet nga Komisioni Evropian gjithashtu se nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në fillimin e vendosjes së këtyre pikave të kalimit nga Serbia (në Jarinje, Mucibabe dhe Konculj). Kjo çoi në një pezullim të fondeve të BE-së në korrik 2018. Me këtë rekomandohet që Serbia duhet të marrë masat shtesë për të mbyllur kalimet e paligjshme. Një sinjal pozitiv është potencuar sa i përket Telekomit, ku thuhet se palët kanë vazhduar të respektojnë në masë të madhe detyrimet e tyre përkatëse sipas marrëveshjes gjatë periudhës raportuese.
Kosova duhet të ketë qasje Evropiane në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE, përmes dialogut dhe negociatave, siç e përshkruam më lartë. Rrugë tjetër nuk ka.
/Autori është Kordinator i “Forca e Diasporës“ për Gjermani/