Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media në prag të dy ndeshjeve të para të edicionit të ri në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë dhe Greqisë.
Fillimisht u bë ceremonia e nënshkrimit të kontratës së re për periudhën 2020-2022 nga përzgjedhësi Bernard Challandes dhe presidenti Agim Ademi, të cilët ditë më parë e finalizuan marrëveshjen për vazhdimin e rrugëtimit të përbashkët edhe për dy vjet, njofton FFK.
Të dy palët vlerësuan se deri te marrëveshja e re nuk kishte asnjë pengesë dhe ajo erdhi si rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura në periudhën 2018/2020.
“Jemi të kënaqur me punën dhe rezultatet e Challandes. Besoj se do të vazhdojmë me këto rezultate”, ka thënë presidenti Ademi, derisa Challandes në shaka ka thënë se “shpresoj të jem trajner më i mirë se sa biznesmen. Jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me FFK. Gjëja më e rëndësishme për mua është futbolli dhe vazhdimi i bashkëpunimit me këta lojtarë. Ne duhet të kemi durim, jemi ekip i ri dhe duhet të ngritemi ngadalë”.
Më pas përzgjedhësi Bernard Challandes, foli për vështirësitë që po has në grumbullimin e futbollistëve para këtyre dy ndeshjeve si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe rregullave të disa shteteve nga vijnë lojtarët për karantinim. Në fakt, Zvicra, ku luajnë shumë futbollistë Dardan, është ndër shtetet që detyron karantinimin për çdo person që kthehet nga Kosova. Challandes ka thënë se edhe ai do të jetë i detyruar të hyjë në karantinë pas rikthimit në Zvicër, por kjo për të nuk është aq problem, sa është për lojtarët.
Ai ka thënë se duke pasur parasysh situatën aktuale është e vështirë të komponohet ekipi, por do të mundohet të nxjerrë më të mirën në të dyja ndeshjet, njofton FFK.