(2L ONLINE) – Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit njëra ndër pikat e rendit të punës ishte edhe raporti, i punës së kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për vitin 2014 . Në lidhje me këtë raport është debatua nga anëtarët e Kuvendit dhe ashtu edhe siç është pritur pozita e ka vlerësuar atë e opozita kishte qëndrim negativ dhe kritik ndaj raportit në fjalë.
Njëri prej anëtarëve të taborit opozitar, Fehmi Sylejmani, anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se konsiderojnë, se kryetari Lutfi Haziri më shumë është përkujdesur për subjektin e tij në qendër se sa për qytetarët e komunës së Gjilanit, të cilët ia kishin besuar udhëheqjen e komunës. ‘Nuk janë të gjithë qytetarët e komunës anëtarë të LDK, edhe përkundër që votën ua kanë dhënë si kryetar. Madje jo vetëm që ka shërbyer për subjektin e tij, për 24 orë online, kryetari Haziri shumë shpesh ka kryer edhe rolin e ministri të punëve të jashtme, për faktin se ka pasur udhëtime të shpeshta jashtë vendit, por që fatkeqësisht nuk ka sjell ndonjë njohje ndërkombëtare e as ndonjë projekt zhvillimor”, ka thënë Sylejmani.
Përndryshe, ja fjala e plotë e anëtarit të Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes Fehmi Sylejmani e thënë në seancën e sotme të KK të Gjilanit.
“Sipas LVL, neni 58, pika (j) thotë:kryetari raporton para kuvendit të komunës për situatën ekonomike-financiare të komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të komunës, së paku një herë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet nga kuvendi i komunës.
Dhe tashmë po mbaron një vit i plotë i kësaj qeverisje dhe që asnjëherë deri më tani, kryetari nuk ka raportuar para këtij kuvendi, derisa në këtë seancë thirret në gjashtëmujorin e parë. Një absurd i llojit të vet.
Sidoqoftë një thënie e Aristotelit, filozof i njohur thotë:
“Çdo vegël e kryen më së miri qëllimin e caktuar të saj, në qoftë se nuk shërben për shumë punë, por vetëm për një”
Me këtë thënie të famshme të Aristotelit po e paraqesim punën njëvjeçarë të kryetarit Haziri, që sipas neve, dhe me plotë të drejtë konsiderojmë, se ky kryetar më shumë është përkujdesur për subjektin e tij në qendër se sa për qytetarët e komunës së Gjilanit, të cilët ia kishin besuar udhëheqjen e komunës. Nuk janë të gjithë qytetarët e komunës anëtarë të LDK, edhe përkundër që votën ua kanë dhënë si kryetar. Madje jo vetëm që ka shërbyer për subjektin e tij, për 24 orë online, kryetari Haziri shumë shpesh ka kryer edhe rolin e ministri të punëve të jashtme, për faktin se ka pasur udhëtime të shpeshta jashtë vendit, por që fatkeqësisht nuk ka sjell ndonjë njohje ndërkombëtare e as ndonjë projekt zhvillimor.
z.Kryetar, sa herë Ju për këto udhëtime keni raportuar në këtë Kuvend apo në Komitetin për Politikë dhe Financa. Jeni të obliguar ta bënë këtë, por ja që nuk keni pasur kohë të mjaftueshme. Le të gjykojnë qytetarët gjilanas këtë veprim Tuajin.
Nuk do të jemi assesi kritikë ndaj proceseve dhe zhvillimeve të mira e të mbara në komunë, por kur po e shohim se ka kaluar një vit nga udhëheqja e juaj z. Kryetar, nuk po shohim se ka progres, por përkundrazi kemi regres.
Keni premtuar se do të ketë zvogëlim të papunësisë dhe varfërisë, por realiteti është i kundërt me premtimin e juaj, sepse për keqardhje kemi rritje të lartë të papunësisë dhe varfërisë, e madje ditëve të fundit kemi edhe eksod të grupeve familjare, por edhe atyre të rinjve, në shenjë të pakënaqësisë së zhvillimeve ekonomike, politike, sociale në komunë e në tërë vendin.
Nuk janë vetëm këto dy çështje që i keni premtuar, por ne po ua përkujtojmë jo vetëm Juve, por edhe qytetarëve të komunës, se Ju keni premtuar edhe zgjerim të parkingjeve, largimin e kundërmimit të ujërave të zeza, zhvillim ekonomik, përfundimin e punimeve të lumit Mirusha, madje edhe atë në fund të shatorit të këtij viti që po e lëmë pas, mirëmbajtjen e duhur të ndërtesave të vjetra, mirëmbajtjen e duhur tregut të gjelbër, largimin e uzurpatorëve, uljen qind për qind të taksave komunale, shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve.
Në vitin e parë të qeverisje suaj keni thënë se do t’i ndajmë një milion euro për bujqësi. Ku janë ato një milion, e ne jemi dëshmitar të së vërtetës, se Ju madje keni tërhequr mjete nga drejtoria e bujqësisë dhe keni dislokuar në një tjetër vijë buxhetore.
Keni premtuar se do të bëni ndarjen falas të grurit për mbjellje, naftën dhe korrjen. z. Kryetar, a keni qenë të vetëdijshëm për këto premtime, sepse të gjithë qytetarët tashmë e dinë se asnjëra prej tyre nuk është realizuar.
Keni premtuar se për bujqit do të ofroni shitjen e produkteve bujqësore në fabrikën e miellit “Kualitetit” dhe në “Ask Food”, por a jeni Ju në dijeni se çka po ndodh në truallin e fabrikës së bukës, a keni ju njohuri se a ka ndonjë hapësirë të lirë për një gjë të tillë, si ide vërtetë ka qenë brilante. A jeni Ju të sigurt se fabrika e bukës do të vazhdojë këtë veprimtari, apo do t’i ndryshohet veprimtaria, mos vallë kjo fabrikë e bukës, e një rëndësie të veçantë, do të shndërrohet në ndonjë kompleks hotelerie. Ju sugjerojmë të keni një përkushtim më serioz ndaj kësaj çështje dhe kësaj hapësire.
Gjithashtu keni premtuar se 50 % e buxhetit të komunës do të shkojë për familjet që punojnë tokën. Deri më tani nuk kemi akoma asnjë familje fatlume me këtë benificion.
Keni premtuar se femrave do t’ua siguroni shkollimin falas. Edhe këtu nuk kemi asnjë femër që ka pas këtë fat.
Keni premtuar se do të rritet niveli i përfaqësimit të femrave në ekzekutiv. Qytetarët e komunës së Gjilanit, nuk po mund ta numërojnë të paktën një drejtoreshë të ndonjë drejtori të caktuar përkatëse.
Keni premtuar se do të rritet niveli i pastërtisë së qytetit. Me keqardhje duhet potencuar se ka mbetur vetëm një fontanë dëshirash.
Keni premtuar rritjen e numrit të parqeve dhe kopshteve për fëmijë. Qytetarët e Gjilanit me kontributet e tyre edhe më tej po paguajnë qira të larta për dy çerdhe në qytet.
Keni premtuar se asnjë zonë nuk do të jetë pa ndriçim publik. Prindërit e shumë nxënësve të shkollave përkatëse në qytet, duhet lënë anash shumë punë të tyre jetësore, për t’i pritur fëmijët e tyre pas mbarimit të mësimit për t’i shoqëruar deri në shtëpi, për mungesë të ndriçimit publik, veçmas nxënësit e shkollave periferike.
Keni premtuar depolitizim të sistemit arsimor dhe administratës së komunës.
Edhe përkundër vullnetit të mirë dhe përpjekjeve personale të drejtorit të arsimit, që ky sektor të ecë në rrugë të mbarë, pikërisht interferimi i subjektit të Juaj e veçmas të disa personave, të cilët veten e konsiderojnë “të mëdhenj” e “të dijshëm” kanë ndikuar që në këtë sektor të ndodhin disa skandale, që tashmë tërë opinioni gjilanas është në dijeni. Mos shpallja e vendeve të lira të punës, pranimi i kuadrit jo të kualifikuar dhe nepotizmi, Komisioni Intervistues për drejtor i politizuar dhe i paligjshëm, skandali për marre i ekskursionit të shkollës së mjekësisë e shumë shumë parregullsi tjera.
Ndërkohë çdo ditë e më shumë po i punësoni militantët e partisë së Juaj nëpër sektorë të ndryshëm të administratës së komunës, madje pa shpall fare konkurs, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Keni premtuar se të gjitha klubet sportive do të kenë buxhetin e ndarë vjetor.
z. kryetar, në mungesë të mjeteve materiale disa klube sportive, pikërisht gjatë mandatit të Juaj janë shuar, derisa shumë klube tjera janë në gjendje të mjerueshme për nga aspekti financiar.
Keni premtuar se në pjesën e dytë të vitit të parë të qeverisjes së Juaj, anëtarët e Kuvendit komunal do të pajisen me llap-top. Akoma një premtim të tillë nuk e keni realizuar.
Gjatë mandatit të Juaj, madje ende pa i mbushur një vit, shpërbëtë dy drejtoritë më vitale të komunës, atë Inspeksionit dhe të Kulturës.
Në gjithë botën drejtoria për Inspeksion është një kujdestare dhe korrektore e qeverisjes, kjo te ne është shuar. A e dini pse?!, Sepse këtë qeverisje nuk duhet askush ta inspektojë, monitorojë dhe kontrollojë. Edhe këtë po e ilustrojmë me një thënie të Aristotelit:
“Ligjet e mira nuk mund të krijojnë rregullim të mirë, në qoftë se nuk i nënshtrohen njerëzit”
A jeni në dijeni z.kryetar, se sa objekte ndërtimi, qoftë individual, qoftë kolektiv apo afarist janë duke u ndërtuar edhe atë pa asnjë dokument me të drejtë të pune. A mos vallë, për këtë shpërbëtë drejtorinë e Inspeksionit?! Aferim!
A jeni në dijeni Ju z, kryetar, se edhe ato punë-projekte që janë kryer, me çfarë cilësia janë kryera, si janë realizuar, kush i ka kontrolluar apo mbikëqyrur dhe kush i ka pranuar?
Për të mos harruar opinioni gjilanas, kryetari Haziri që në nismë të punës së tij ka përmendur se ka trashëguar shumë borxhe, aq shumë sa e kalojnë shifrën e tetë milionë eurove, kanë gjetur 28 probleme madhore, mos-disiplinë buxhetore, mbingarkim të stafit e probleme të tjera që duan zgjidhje. Kryetari Haziri, ka thënë se ka pasur shumë probleme në punësim. „Gjetëm punëtorë të sigurisë në arsim e roje të pyjeve në shëndetësi“. „Nuk do të lejojmë që ekzekutivi të marrë ngjyrime politike, ngase të emëruarit, drejtorë do të jenë vetëm për punëtorët e tyre, në drejtoritë ku ata do të udhëheqin e për mua do të jenë këshilltarë të mi, derisa për çdo gabim që bëjnë ata do të largohen“. Ku u tretën këto premtime z. kryetar?
Kryetari Haziri po ashtu patë thënë, se Gjilani zhvillimin e vet e sheh edhe në investimet nga jashtë, në të cilat ka qenë i përjashtuar në vitet e kaluara. Për këtë qëllim, kreu i Gjilanit patë paralajmëruar se do ta emëroj një këshilltar të tijin të lartë për grande e investime e i cili do të ketë një rol të fuqishëm. Unë nuk e di, edhe pas një vit nëse ka ndonjë zyrtar për këtë çështje, që në letër është ide gjeniale.
Qeveria ose duhet t’i paguaj borxhet ose borxhin do ta paguaj vetë, sepse nuk ka hy me autoritetin e saj të ndal këtë trend, andaj ajo ka hy në obligime dhe është bashkëborxhli e Ministria e Financave është pjesë e barabartë në këto borxhe që janë krijuar në komunën e Gjilanit. Kështu patë deklaruar Haziri, në fillim të mandatit të tij. Z.kryetar, a mendoni edhe më tej, se qeveria duhet të jetë bashkëborxhli.
Po ashtu kryetari Haziri në fillim të mandatit të tij patë deklaruar se “do ta udhëheq komunën me lak në fyt, ngase borxhet që po i trashëgoj janë tetë milionë euro, andaj paralajmëroi një auditim të pavarur për të konstatuar ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e këtij konstatimi financiar.
Këtë komision të auditimit, tërë kohën z. kryetar, anëtarët e LVV në këtë kuvend e kanë kërkuar, por akoma nuk kemi një raport zyrtar rreth kësaj kërkese dhe këtij paralajmërimi të Juaj.
Me plotë të drejtë në secilin cep të komunës, qytetarët pyesin dhe kërkojnë projekte reale e praktike, investime, zhvillim, punësim e jo retorikë boshe, sepse është lodhur qytetari më me këto fjali bajate dhe të demoduara. Qytetari di të vlerësoje saktë se çka është vlerë e çka nuk është vlerë. Nëse për dike është premtimi bosh, mashtrimi dhe gënjeshtra e kulluar vlerë, atëherë për qytetarët vlerë është puna praktike, reale dhe e prekshme, prosperiteti, mirëqenia dhe zhvillimi i komunës.
Dhe, nëse nisemi nga një fjalë popullore, se dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë nga kjo qeveri aktuale në të ardhmen nuk presim ndonjë të arritur të theksuar, për shkak të përfomancës së dobët të dëshmuar deri më tani, si kundër që nuk ka shfaq shenja të mira, se ka vullnet të mirë politik, ka qasje të mirë, ka vizion, ka program, ka kuadro dhe thjeshtë ka menaxhment të mirë. Politikëbërjet në nivel lokal dhe atë qendror kanë dallime të mëdha dhe esenciale”. /2LONLINE/