Egjipti ishte stacioni i tretë i intifadës arabe e cila atëbotë u quajt Pranvera Arabe. Miliona njerëz mbushën sheshet dhe brohorisnin “Juskit en-nidham” (të bie regjimi). Pas një vjet protesta, burgosje e vrasje të pamëshirshme, Husni Mubarak dorëzohet.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Me 18 janar të vitit 2011 merr fund një regjim totalitar i nisur nga koha e Xhemal Abdu Naserit. Mubaraku zihet i gjallë, burgoset por asnjëherë nuk merr deliktin përfundimtar. Ai shpëtoi më lehtë se Gadafi i Libisë i cili u nxjerr nga një gyp kanalizimi ku ishte fshehur dhe u mbyt duke e rrahur gojës me kondak pushke. Për Mubarakun nuk dihet nëse ja konfiskuan pasurinë 72 miliardë dollarëshe të cilën e kishte deponuar në bankat e Francës dhe të Zvicrës.
Megjithëqë u shpresua se me rënien e Mubarakut po fillonte një epokë e re, Egjipti në këto 7 vjetët e fundit ka përjetuar njërën prej tragjedive më të mëdha në histori. Vendi i faraonëve apo toka e Nilit siç e njeh bota, “Erdul kenane” siç e quajti Kur’ani, me universitetin më të vjetër në botë, Az’harin e Madh, ky vend i udhëhequr nga shqiptarët për 170 vite e në kohën e Mursit që njohu Kosovën, tani është para një kaosi të vërtetë. Egjiptianët i janë nënshtruar një dhune të padurueshme. Pak kush beson se gjendja mund të ndryshojë së shpejti. Egjiptianët kanë nevojë për ndihmë. Ama, siç po duket, kësaj radhe mund t’i shpëtojë vetëm Allahu i Madhërishëm. As vetveten më nuk mund ta shpëtojnë. Gjenerali famëkeq Abdul Fettah el-Sisi do ta sundojë vendin deri në vitin 2032. Me dekret të parlamentit të cilin e dhunon si është më së keqi.
Ky Egjipt me këtë emër të madh që ka, me nam e me histori të pafund, dje ka treguar se nuk është Egjipti për të cilin lexojmë nëpër libra. Dje aty është varrosur Muhamed Mursi në mënyrën më çnjerëzore të mundshme. Ish presidenti i zgjedhur me vota të lira, varroset në prezencën e vetëm 5 vetëve; bashkëshortja, dy djemtë dhe dy vëllezërit e tij. Me urdhëresë të Abdul Fettah el-Sisit. Me urdhëresë të tij gjithashtu, familjarët e Mursit janë ndaluar të hapin të pame për ngushëllime qoftë në fshatin e tij të lindjes apo kudo qoftë tjetër në territorin e Egjiptit.
Por kush ishte Muhamed Mursi të cilin e varrosin para lindjes së diellit?
Ka lindur në vitin 1951 në Sharkije, qytet ky në veri-lindje të Kajros. Si fëmijë i dy prindërve fshatarë të varfër, shkollimin fillestar e nisë në vendlindje. Aty e mëson Kur’anin përmendësh dhe bëhet ndër hafëzllarët më të njohur të kohës. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Kajros. Diplomoi si inxhinier në vitin 1975. Shërbimin ushtarak e kreu në vitin 1976. Punoi si mësues. Si bursist shkon në Universitetin Jugor të Kalifornisë ku kryen masterin dhe doktoratën në vitin 1982. Për dhjetë vite me radhë punoi si profesor nëpër disa universitete të Amerikës, pastaj në universitetin Fatih të Libisë e në fund profesor i rregullt në Universitetin e Kajros. Pasi përcaktohet për vijën e tij politike, në vitin 1977 i bashkohet Vëllazërisë Muslimane. Mes viteve 2000-2005 ishte deputet në parlamentin e Egjiptit. Për shkak të bindjeve të tij politike dhe për shkak se kishte mbështetur protestat kundër Mubarakut, me 28 janar të vitit 2011 burgoset dhe dënohet me 25 vjet burg. Po atë vit, masat e gjëra popullore e nxjerrin nga burgu me disa aktivistë të tjerë.
Muhamed Mursi nuk është kandidati i vetëm nga radhët e Vëllazërisë Muslimane që i hyri garës për president të Egjiptit. Ishte edhe një përpjekje tjetër e Vëllazërisë në vitin 2000. Në vitit 2011 Muhamed Muri fiton zgjedhjet, por nuk i pranohet fitorja. Në vitin 2012 fiton prapë duke e mundur Ahmet Shefikun, ish-kryeministrin egjiptian nga koha e Mubarakut. Me 30 qershor të vitit 2012 e jep betimin për president, dhe në fjalimin e tij të parë kur i drejtohet kombit, me një vetëbesim të tepruar zotohet se do ta luftojë nëntokën mafioze të Egjiptit, do t’i burgosë hajnat dhe do ta çrrënjosë korrupsionin që ishte në përmasa enorme.
Që në vitin e parë të tij si president, Egjiptin e vërshojnë protestat. Sheshi “tahrir” në Kajro ishte bërë vendtakimi i liberalëve dhe miliona njerëzve të cilin dilnin për ta refuzuar presidentin e ri. Pas këtyre organizimeve qëndronin strukturat e Mubarakut. Ata ishin betuar se do ta djegin Egjiptin por Mursin nuk do ta lënë për president. Para një situate të këtillë, Muhamed Mursi detyrohet t’i gjunjëzohet ushtrisë dhe emëron Abdul Fettah el-Sisin për komandant të saj. E ky, një vit më vonë organizon grushtet shtetin dhe e rrëzon Mursin. Me 3 qershor të vitit 2013 ndodhi grusht shteti më të rrezikshëm që kishte ndodhur ndonjëherë në botën arabe. Ishte një grusht shtet me pasoja të dhimbshme. Partia selefiste “Hizbu Nur” ishte ndihmëtarja më e madhe e Sisit për ta rrëzuar Mursin
Egjiptit i fillojnë prapë shtërzimet e një revolucioni të ri. Në 100 ditët e para pas grusht shtetit, el-Sisi i vetëshpallur president, vrau 3520 qytetarë të pafajshëm. Vetëm në Rabia el-Adevije masakroi 2400 protestues ku fillimisht i vrau me mitralozë nga helikopterët e pastaj i shkeli kufomat me tanke të ushtrisë. Plagosi gjithashtu 20559 qytetarë e 20144 të tjerë i burgosi. Me dhjetëra mijë opozitarë detyrohen ta lëshojnë Egjiptin. Nga të ikurit kishte shumë prej liberalëve të cilët deri dje luftuan për rrëzimin e Mubarakut. Edhe Muhamed Baradei lëshoi vendin. Nga aty ikën edhe Ejmen Nur e Mustafa Xhundi, dy kryetarë të dy partive liberale. Nëpër gjykatat ushtarake u dënuan 15500 njerëz. Ndër ta 112 nën moshën 18 vjeçare. Shumë herë ka ndodhur të dënohen në grup mbi 100 persona. Nga viti 2017 e deri më sot janë varur në litar 402 persona, të gjithë nga radhët e opozitës.
Përgjatë tri viteve të para regjimi i el-Sisit ndërtoi 22 burgje të reja. Të gjitha i mbushi me aktivistë nga shoqëria civile, me opozitarë, artistë, hoxhallarë, dijetarë, priftërinj e nga të gjitha shtresat e shoqërisë egjiptiane.
Tani kishte filluar një periudhë e re edhe për Muhamed Mursin. Për gjashtë vite sa qëndroi në burg ai u dënua tri herë radhazi. Herën e parë mori 20 vjet me akuzën për spijunazh në dobi të Katarit, të dytën herë me varje për ikje nga burgu, ndërsa herën e tretë me burg të përjetshëm për bashkëpunim me Hamasin palestinez. Muftiu i atëhershëm i Egjiptit është ai që kishte lëshuar fetvanë për ekzekutimin në litar të Muhamed Mursit. Shpëton pas ndërhyrjes nga jashtë me arsyetimin se Mursi mund të shndërrohet në emër të pavdekshëm, po e ekzekutuan. Duhet të lihej në burg dhe ta diskreditonin personalitetin e tij, e kishin këshilluar el-Sisin në Arabinë Saudite.
Dhe, dy ditë më parë Muhamed Mursi vdiq nga një sulm në tru, në sallën e gjyqit. Gjashtë vitet e fundit i kaloi nëpër burgjet e Egjiptit, i torturuar në mënyrën më të vrazhdë dhe i izoluar për tri vite resht në një qeli të errët dhe me lagështi. Në vend të tretmanit mjekësor që e kërkonte, gardianët e kishin rrahur pa ja nda, ndërsa në qeli i fusnin minj për ta trishtuar.