(2LONLINE) – Ditë më parë, Portali 2L Online e ka publikuar informacionin për zgjedhjen e Valdrin Halimit kryetar të ri të Këshillit të Veprimit Lokal Rinor, gjithnjë duke u bazuar mbi deklaratat e Halimit. (shih shkrimin: Valdrin Halimi në krye të KVRL-së ). Por, një reagim në adresën tonë ka ardhur menjëherë nga Fatlum Zeneli i prezantuar si ish nënkryetar i KVRL-së (shih shkrimin: A po dëshiron Haziri të kontrollojë edhe shoqërinë civile ?!), duke vënë në dyshim legjitimitetin e përzgjedhjes së re të KVRL-së.
Tani së fundi edhe Eranda Isufi që thotë të jetë ajo kryetare e KVRL-së, ka reaguar duke vlerësuar se ka elementë të rinisë gjilanase, që të ndikuar edhe politikisht, mundohen që të gllabërojnë nën kontrollin e tyre KVRL-në. (shih shkrimin : Do të dështojnë përpjekjet e jashtëligjshme për të kontrolluar KVRL-në)
Por Valdrin Halimi vazhdon të potencoj se është zgjedhur me procedurë legjitime në krye të KVRL-së dhe se ka reaguar ndaj deklarimeve të atyre që e vënë në dyshim këtë duke u shprehur se KVRL-ja në Gjilan po analizon me vëmendje të shtuar çdo ditë reagimet e disa të rinjve të komunës në lidhje me shqetësimet e tyre rreth procesit zgjedhor në organin më të lartë të përfaqësimit të të rinjve të Gjilanit. Ai thotë se struktura e re e KVRL është e gatshme që kudo dhe kurdo që shihet e arsyeshme të fus në rivotim (me kërkesë të 2/3 të organeve përfaqësuese) zgjedhjen e organeve të reja të rinisë gjilanase në mënyrë që të dëshmohet, sa herë që dyshohet procesi legjitim i mbajtjes së zgjedhjeve.
Halimi ka thënë se kryesia e KVRL-së në Gjilan do të marrë parasysh të gjitha këto pakënaqësi dhe si të tilla do të i shqyrtojë në mbledhjen e radhës e cila do të mbahet të Enjten me datë 9 Janar 2014 (ku do të marrin pjesë shumica e organizatave Rinore në Gjilan, Këshillat e Nxënësve dhe Studentëve).
“Gjatë kësaj kohe, përderisa kemi vazhduar aktivitetin, janë realizuar shumë takime me të rinj dhe institucione të tjera relevante, nga të cilat kemi marrë përkrahjen rreth këtij procesi. Jemi të vetëdijshëm që nuk është e lehtë për disa ish-përfaqësues jo-legjitim që të mbesin pa keq-menaxhimin dhe keq-përdorimin e hapësirave dhe pasurisë publike, por kultura dhe përvoja qytetare e të rinjve tregon që ata nuk lejon gjatë të ndodhin gjëra të tilla dhe çdo herë janë të prirur për ndryshime”, ka thënë Halimi.
Sipas tij, këto prirje janë treguar dhe në Prill të vitit të kaluar ku tetë nga 12 anëtarët e bordit u larguan në mënyrë demonstrative nga po i njëjti këshill për shkak të mos-transparencës, keq-menaxhimit, keq-përdorimit, shfrytëzimit për qëllimet personale të hapësirave e shumë dollovere të tjera në dëm të rinisë së qytetit. (shih linkun: https://2lonline.com/arkiva/sociale/10279-tete-anetare-te-bordit-japin-doreheqje.html)
“Ne si përfaqësues legjitim të rinisë gjilanase jemi të vendosur që tërë periudha e dyshuar për keq-menaxhim dhe keq-përdorim të ndriçohet dhe do të kërkojmë që të na mundësohet një proces i thellë auditimi. Pas përfundimit të këtij procesi nëse haset në parregullsi atëherë dyshojmë se do të ketë punë dhe për prokurorinë dhe gjykatën”, thotë Halimi.
Ai tha se i inkurajojnë të gjithë të rinjtë dhe “ata që shprehin pakënaqësitë e tyre në publik” që shqetësimet e tyre që kanë me çfarëdo procesi, të i drejtohen në mënyrë që bashkërisht të i zgjedhin këto probleme duke shpresuar që të mos shpenzojnë shumë kohë në këtë punë, por të vazhdojnë për të punuar në ide e projekte të reja në të mirë të të rinjve të qytetit. /2lonline/