/2L ONLINE/ – Për të shkruar për ecurinë e zhvillimit të gjuhës shqipe doemos duhet të lidhemi me zhvillimet historike dhe me gjeografinë e saj,apo thjeshtë viset ku flitet . Thuhet nga gjuhëtarët qoftë botëror apo të tanët se Gjuha shqipe rrjedh nga Ilirishtja dhe se ne jemi me origjinë nga Ilirët e që nga ajo kohë gjithnjë sipas tyre;gjuha ka ruajtur fizionominë e saj me tiparet fonetike,morfologjike dhe sintaksore.
Me këtë shkrim nuk dua të përqendrohem e të flas me lexuesit për format dhe trajtat gjuhësoret të cilat i përdorim gjatë të folurit tanë sipas rregullave gramatikore të Gjuhës shqipe;a po e flasim gjuhën standarde a dialektore, por dua të shfaq një mendim timin i cili kaherë më rri në kokë e më thumbon .Çfarë po i bëjmë gjuhës shqipe duke përdorur fjalë të huaja e tonat po i lëmë anash.
Me një formë të tillë të të folurit apo të shkruarit që nga pozitat më të larta institucionale e intelektuale e gjer te qytetarët të cilët të vetëdijshëm apo ndoshta dhe jo ,janë duke u krenuar se cilët më shumë po largojnë fjalë shqipe e për t’i zëvendësuar ato me huazimet nga gjuhë të tjera.
E dimë se gjatë zhvillimit historik ,gjuha shqipe ka pasur nevojë të marrë fjalë të shumta për ta pasuruar fjalorin e vet. Këto fjalë të marra kanë marrë formën e trajtave dhe kategorive gramatikore që ka gjuha shqipe dhe tani ato janë pjesë përbërëse e gjuhës.
P.sh. nga Greqishtja kemi të huazuara këto fjalë:qeshi,pjepër ,lakër etj
nga latinishtja kemi këto fjalë :flokë,faqe,fytyrë etj
nga sllavishtja ne i përdorim këto fjalë:trup,çekiç,krahinë,sokol etj
Huazime të shumta kemi edhe nga Turqishtja,frëngjishtja si dhe nga anglishtja. I shkrova këta shembuj sepse janë fjalë të përditshmërisë sonë dhe e vërteta është se ne i kemi marrë këto gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit historik të gjuhës shqipe.
Tani që gjuha ka arritur standardizimin e saj, d.m.th. përpunimin në nivelin më të lartë gjuhësor,a kemi nevojë ne t’i lëmë anash tonat dhe t’i marrim të huajat. Po e filloj me shembullin më trishtues për mua të marrë nga Libri “Gjuha shqipe 6”të autorit Bahri Beci i cili shkruan “Çfarë janë fjalët me ngjyrë blu-në vend që ta përdor mbiemrin të kaltër. Ne mund të kemi ndarje bashkëshortore por për fat të keq tani bashkëshortët po divorcohen. Në këtë kontekst fjala ndarje pothuajse është larguar nga përdorimi i saj. Nëse dua të bëjë një rezervim do të dal “qesharake”po nuk thash ;dua të abonoj. Nëse do ta lexonim fjalinë:”Vetëm dy ditë para se të përfundonte moratoriumi ,nuk di se a do ta kuptonin të gjithë lexuesit se çfarë kuptimi ka kjo fjalë,kur ne tani më veç e kemi fjalën tonë ,marrëveshje e cila besoj se do të sillte lehtësi në kuptimësinë që na jep.
Tani më këmbësorët nuk janë duke ecur nëpër trotuare por nga gjuha angleze u krijua fjala pedonale e ne falë Mediumeve masive po e dëgjojmë pothuajse çdo ditë. Dhe po t’i thuash këtyre Institucioneve se e kanë gabim të shprehurit e tillë ma merr mendja se do të më thonë:Jo,gabim jeni ju se ne po e Evropianizojmë gjuhën tonë. Çfarë satire e përkryer?!
Forma të këtilla të vendosjes së fjalëve të huaja në vend të fjalës sonë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për fat të keq aty ku nuk duhet si më Mediume televizive,fjalime të politikanëve tanë e që besoj se gjysma e tyre nuk ua dinë as domethënien,por i thonë se mendojnë që kjo formë e të shprehurit i bënë ata më të zgjuar e më të lexueshëm karshi masës.
Shpesh pyes veten;A më mirë do të ishte të përdorim të folurit dialektor e cila më duket se nuk është e infektuar nga ky virus,apo të vazhdojmë hapave të gjoja modernizimit të gjuhës sonë se po folëm anglisht,italisht,frëngjisht brenda shqipes do të bëhemi standardizuesit dhe modernizuesit e saj. E folmja dialektore së paku edhe pse aty këtu mund të jetë me gabime drejtshqiptimore dhe drejtshkrimore,ajo ende po mundohet ta ruajë identitetin e vet që nga zanafilla e saj. E kësaj si duket më besnik po i rri popullata e cila për fat të mirë nuk po lodhet ta ndryshoj të folmen sepse po e ndien veten rahat me bashkëfolësin e vet. Përdorime të këtilla janë bërë aq të shpeshta sa po më duket se as ekspertëve të gjuhës nuk po i dhemb veshi kur po i dëgjojnë sepse po i përdorin dhe vet.
Si mund të pranojë veshi i secilit prej nesh përdorimin e fjalëve :PRIORITET për PËRPARËSI; PREZENCË për PRANI; EKSPERIENCË për PËRVOJË; LIVE për DREJTPËRDREJTË etj. Fatkeqësia më e madhe është se pse ne duhet të shërbehemi me këto fjalë kur gjuha jonë është mjaft e pasur .Mendoj dhe besoj se aktivizimi i dy dialekteve në formë të përpunuar,do ta bëjnë gjuhën tonë më të dëlirë, më të thjeshtë. Ky aktivizim do ta mbronte gjuhën nga mbushja e pa nevojshme e fjalëve të huaja si dhe nga shtrembërimet morfologjike e sintaksore sepse besoj se të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun që bartin.
Unë dua të ruaj folenë kuptimore të fjalëve shqipe qofshin dialektore apo të standardizuara pa ndikim dhe përdorim të fjalëve të huaja sepse po folëm rrjedhshëm,bukur dhe pastër do t’i bëjmë nder gjuhës dhe rrugëtimit historik të saj./2L ONLINE/
/Arbëresha Aliu, Sh.M.U.”Abaz Ajeti” Gjilan/