Në ditën ndërkombëtare kundër abuzimit me substanca narkotike reagojnë psikologët se nuk po bëhet aq sa duhet në ketë drejtim.
Sipas Ema Sallahut, psikologe dhe këshilluese psikosociale, në bazë të hulumtimeve nga qendra të ndryshme del se janë afro 30 mijë përdorues të substancave narkotike dhe kjo shifër si duket askënd nuk po e shqetëson, pasi që shteti, në rend të parë, por edhe ne si shoqëri, me mos ngritjen e kësaj çështje në alarm, jemi përgjegjës për rininë tonë.
Sallahu mendon se shteti nuk ka strategji se si të ndihmohen të rinjtë me projekte dhe duke i stimuluar për një të ardhme të shëndosh. “Unë dua te jem shumë kritike në këtë drejtim, pse ne po reagojmë vetëm kur shohim se shifrat çdo dite po rriten dhe atëherë është e kotë pasi që kjo çështje është bërë shumë shqetësuese për vendin tonë. Ne vet po lejojmë të zhyten drejt një dështimi për jetën e tyre dhe disi sikur kënaqemi duke tregua shifra të përdoruesve e duke kërkua ndihmë se si duhet rehabilituar”, thotë ajo.
Sallahu vlerëson se edhe nuk është se po bëjmë shumë që asnjë i ri të mos përdorë substanca të tilla, e kjo duhet të bëhet me angazhim konkret me vetëdijesim dhe ligjërata të përhershme me grupmosha të ndryshme. “Shumica e të rinjve, nga praktika ime si psikologe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që ua sjellin lëndët narkotike”, ka thënë Ema Sallahu.
Ajo thotë se është shumë e dhimbshme kur dëgjon nga zëri i tyre i heshtur se kanë nevojë për ndihmë që t’i këshillojmë, por fatkeqësisht këtu mungon edhe qasja familjare ku pothuajse janë të pakte ata prindër që munden të flasin vazhdimisht me fëmijët e tyre për këtë çështje, për t’iu treguar pasojat të cilat mund t’i kenë gjatë gjithë jetës.