Sot në Viti, është zhvilluar ceremonia e certifikimit të mësimdhënësve vitias, të cilët ishin pjesë e projektit të Bashkimit Evropian “Përkrahje për arsimin fillor dhe të mesëm të lartë” – KosEd, nga programi i trajnimit ‘Vlerësimi nga kolegët’.
Me këtë rast kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, i kanë pritur në takim mësimdhënësit dhe përfaqësues të shkollave që ishin pjesë e këtij projekti, në krye me udhëheqësin e këtij programi z. Robert Blease.
Kryetari Haliti në veçanti e falënderoi z. Blease për punën dhe përkushtimin e këtij në këtë projekt, duke i ndarë atij një mirënjohje. Ai falënderoj atë por edhe Bashkimin Evropian që fillimisht kishin zgjedhur komunën e Vitisë, konkretisht shkollën në fshatin Ramjan për të pilotuar këtë projekt, që më pas është shtrirë në vende të ndryshme, jo vetëm të Vitisë por edhe të Kosovës.
Ai poashtu theksoj se programi në fjalë ka sjellë metoda të reja në mësimdhënies duke shtuar se uron që nga shatorit i këtij viti, ky program të vazhdoj edhe në shkollat e tjera të komunës së Vitisë, duke u zotuar se ai dhe qeverisja e tij do të vazhdojnë të bashkëpunojnë që programi në fjalë të realizohet sa më mirë për komunën e Vitisë. Kjo sipas tij është në interes të ngritjes së cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie si dhe të shkëmbimit dhe përmirësimit të metodologjisë së mësimdhënies.
Ndërkaq z. Blease, falënderoi komunën e Vitisë, në veçanti kryetarin Haliti, që kanë bashkëpunuar që në fillim që ky projekt të realizohet fillimisht në Viti dhe më pas në komunat e tjera. “ Në emër të 105 shkollave të ndryshme të Kosovës dëshiroj të falënderoj komunën e Vitisë dhe kryetarin Haliti që kanë mbështetur këtë projekt. Pa Vitinë ky projekt nuk do të ishte shtrirë edhe në këto shkolla “ u shpreh z. Blease.
Ai gjithashtu tha se me këtë program është krijuar edhe një instrument që ndihmon vazhdimisht në përmirësimin e cilësisë në arsim. Përndryshe u bë me dije se programi i trajnimit ‘Vlerësimi nga kolegët’ ofrohet ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtorisë Komunale të Arsimit, shkollës dhe projektit KosEd dhe është akredituar nga MAShT-i. /2LONLINE/