Ismet TAFILI
Gjatë hulumtimit, përkatësisht evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të koleksionueseve privat, vizituam edhe fshatin Karaçevë e Epërme të komunës së Dardanës (Kamenicës). Në këtë fshat takuam Zotërim Kastratin një djalë të ri i cili na tha se ka disa eksponate që i ka grumbulluar dhe është duke i ruajtur në shtëpi, por ende nuk i ka të radhitura si duhet.
Pasi shkuam në shtëpinë e tij, pamë se kishte një numër të caktuar eksponatesh nga llojet më të ndryshme, të cilat i takonin edhe periudhave të ndryshme kohore. Koleksioni i tij përmbante: qerre druri me katër rrotë, drapër të vjetër, kmesë, peshore (kandar i vjetër), kusi e tepsi bakri, sitë, kutëll (masë mielli për ujem), gërshërë për qethje të deleve, verigë, një opingë të vjetër prej lëkure të lopës, sharrë dore, tjerrëse- pjesë e vekut, mashë, një pishtol të vjetër të thjeshtë, hekur, zgjedhë për kafshë, qylym, janë etj.
Por diçka që na ranë sy, në mesin e eksponateve të koleksionuesit Zotrim Kastrati, ishte çekani prej guri dhe një copë xehe e gjetur në vendin e xeherores së Strezocit.
Zotrim Kastrati na shpjegoi se këtë çekan e ka gjetur Beqir Dërmaku, këtu afër, në përroin e Karaçevës së Epërme, dhe unë, për momentin jam duke e ruajtur, thotë ai. Edhe ai, por edhe ne, pasi nuk ishim profesionist të fushës së caktuar, nuk mund ta dinim se sa është i vjetër dhe cilës periudhë historike i takon, por ajo që bëmë në këtë moment e lutëm që të na i jap për muzeun Rajonal të Gjilanit. Zotrimi, na tha se duhet të bisedojë me Beqir Dërmakun, ( daja i tij) e pastaj do të shohim.
Dimensionet e çekanit nuk janë të mëdha. Është i gjatë 9 cm., i gjerë 5 cm., ndërsa peshon, përafërsisht, 300 gram.
Nga dëshira që të dimë më shumë për këtë lloj çekani, shfletuam librin e arkeologëve të njohur nga Shqipëria Frano Brendit e Adem Bungurit. “Studime për Prehistorinë e Shqipërisë”, të botuar në Tiranë në vitin 2014, dhe vërejtëm se në tabelën CXVII ishin fotografitë e disa çekanëve prej guri të gjetur në Durrës dhe Divjakë shumë të ngjashëm me çekanin e gjetur në Karaçevë të Epërme.
Pra, çekan i tillë , krejtësisht i ngjashëm është gjetur ne Durrës e Divjakë. (Frano Prendi dhe Adem Bunguri, Studime për prehistorinë e Shqipërisë, Tiranë 2014, tabelaCVII)