(2L ONLINE) – Nën organizimin e asociacionit alternativ të shkrimtarëve, Ars Clubit “Beqir MUsliu” dhe, i mbështetur nga MKRS e Komuna e Gjilanit, nesër, e shtunë për herë të katërt radhazi mbahet manifestimi rajonal i poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”.
Në emër të organizatorit Sabit Rrustemi ka thënë se në këtë ngjarje të veçantë të poezisë, e cila simbolikisht dhe tashmë tradicionalisht mbahet në trekëndëshin kufitar Kosovë – Kosovë Lindore (Serbi) dhe Maqedoni, përkatësisht në lokacionin e fshatit malor Dunav, pritet të marrin pjesë emra të njohur të poezisë e letërsisë si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova Lindore, gjegjësisht Serbia.
Rrustemi ka thënë se Manifestimi ka karakter përkushtues dhe lidhet me Ditën e Lirisë për Kosovën si dhe krijon njohje, afri e mirëkuptim dhe paqe mes poetëve e vendeve të rajonit por, edhe afirmon letërsinë e këtij mikrorajoni .
Pas përfundimit të këtij Manifestimi, në mbrëmje, poetët dhe dashamirët e artit do marrin pjesë në Ceremoninë solemne me rastin e dhënies së Çmimit Letrar “Beqir Musliu” për vitin 2014, fitues i së cilit kësaj here është shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë nga Shkupi, Nehas Sopaj. /2L ONLINE/