Eh, të mendosh se kjo asgjë, jemi unë dhe ti, dhe ai që ec kokën lartë, dhe ai që zgjatë dorën për lëmoshë para njerëzve që nuk i lëshojnë as edhe një shikim të vetëm, madje edhe ai që me zotësi mburret që ka mashtruar një njeri, ka bërë një tradhti, ka lënduar e ka shpëtuar pa u dënuar, e ka shumë gabim.
E sotmja është deri nesër, por më thoni, kush kujt i ka premtuar të nesërmen? Kush kujt i ka premtuar se dielli që do të agojë, do të jetë ai që do shohin vetëm sytë e tij/saj?!
Se zogu që do të këndojë, do të jetë kënga që do të dëgjojnë vetëm veshët e tij/saj? Apo ne jetojmë me mendimin se e nesërmja do të vijë, duke ia mohuar kështu frikën e të menduarit vetës, se ndoshta s’do të jetë kjo ajo që është premtuar për ne?!
Apo, vetëm jeta dhe gëzimet e tona do të jenë mysafirët e vetëm që do të trokasin në derën tone?!. Dhe kur themi që: “çdo gjë ekzistenciale mund të jetë asgjë nëse nuk e kuptojmë të qenurit në ekzistencë“, atëherë edhe vetë njeriu hyn në atë “asgjë”, apo është diçka më tepër?!
Të mendojmë mijëra vite të historisë më parë, mes luftërave e tmerreve, që njeriu i bëri për njeriun. Kush mbeti pas nga ta?!
Eh, po kujtimet edhe mund të mbesin, apo thënë më mirë “çfarë mbeti”?! Po, po, mbeti kujtimi i ekzistenciales se kaluar, e historisë së ekzistuarës më parë, por kjo ekzistencë e së kaluarës duhet të jetë shtysa e të ekzistuarit të së tashmes, sepse është forcë e ekzistenciales për të ardhmen.
Dhe duhet kuptuar së në ekzistencë vërtetë nuk ka të përjetshme përveç Zotit-Gjithësisë. Të gjithë ne këtu, që ç’do mëngjes ankohemi se është dashur të jemi në një vend tjetër, dhe të gjithë ata që janë në vendin ku ne duhet ndoshta të ishim, jemi vetëm Sot!
Është si puna e hijes që shfaqet vetëm kur ka diell, por e ndryshmja është se për ne mund të erret nata, dhe një ditë zgjimi dielli nuk do të lind më, as zogu nuk do të këndojë. Po, po, do të këndojë, por jo për ne.
Edhe lulet do të çelin, natyra do gjelbërohet, fëmijët do të luajnë, vetëm ne nuk do të jemi më. Sepse ne jemi sot për nesër, siç e thotë populli: “Ne jemi ajo asgjëja në zbrazëtirën e asaj që ekziston nënë hijen e së ekzistuarës”.
Atëherë, të jemi ai/ajo që mbushet me paqe vetëm me krijimin e dashurisë brenda vetës dhe për të tjerët, të jemi, NE JU – E JU NE… dhe kjo dashuri njerëzore do të jetë qetësi brenda shpirtit, mendjes, që qetëson zërat në mesin e së ekzistuarit; pa urrejtje, pa mëri, me pendesë, me kërkim falje, me mos lëndim, me të ndihmuar… etj. Vetëm kështu i japim kuptim të qënurit ekzistues brenda ekzistencës së ekzistuar!
Bashkautorë të shkrimit: Ligjërues: Mr.sc.Nevzat Shemsedini – psikolog dhe Diellzë Fejzullahu, studente e psikologjise.