Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri rreth aksionit të sotëm të VV-së afër shtëpisë së kryeministrit, Isa Mustafa.
“Lutfi Haziri është shumë kontradiktorë për t’ia marrë seriozisht akuzat. Në fillim të ditës flet se si Zajednica do ta ndajë Kosovën kurse pasdite flet se si gjithçka është në rregull me të. E akuzon VETËVENDOSJE!-n për rrënim të shtetit, ndërsa është pikërisht ai që e ka rrënuar Kosovën duke i vënë bazat e Zajednicës, përmes decentralizimit që dikur e mbronte dhe realizonte me zell. Lutfi Haziri është personi që i ka bërë më së shumti dëm Anamoravës. Është person me mungesë absolute të konsistencës dhe sinqeritetit. Ndërkohë që i ndërron qëndrimet 2-3 herë brenda ditës, gënjen se si Kosova paska të drejtë për t’iu bashkuar Shqipërisë. Ai s’ka të drejtë të flasë për shtetndërtim sepse së bashku me shefat e tij të mëhershëm si edhe me shefin e tij aktual, janë rrënuesit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës”, ka thënë Çaushi, transmeton Indeksonline.