Zyrtarët e Bashkimit Evropian rekomandojnë që tema e çarmatosjes së pjesëtarëve të strukturave paralele në veri të futet në bisedime. Marrëveshja e prillit Kosovë-Serbi ka paraparë shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe riintegrimin e tyre në institucionet vendore,por jo edhe çarmatosjen e tyre.
Raportet e organizatave të ndryshme përfshirë edhe ato të inteligjencës flasin për numër të madh armësh në duar të këtyre personave që ende nuk është vendosur se si do të mblidhen.
Kthimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës do të vazhdoj ta sfidoj mbetja e shumë armëve ilegale në duar të pjesëtarëve të strukturave paralele.
Asnjë nga pikat e marrëveshjes Kosovë- Serbi e arritur në prill këtij viti me lehtësim të BE-së, e as ligji për amnisti nuk përfshin çarmatosjen e këtyre njerëzve. Për këtë arsye Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë konsideron se kjo temë duhet patjetër të jetë në tavolinën e bisedimeve të grupeve punese serbe e shqiptare në Bruksel.
Për më tepër Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, konsideron se procesin e mbledhjes së armëve të paligjshme duhet ta udhëheq Policia e Kosovës. Por, zyrtarët e kësaj të fundit nuk tregojnë të kenë marrë ndonjë sinjal për t’u marrë me këtë çështje. Pa dashur të përmend rolin e EULEX-it në këtë çështje vetë shefi i këtij misioni Ben Bochard i ka thënë Radio Kosovës se mbajtja e këtyre armëve është e rrezikshme.