Capello beson se dështimi i Madridit në sezonin 2018/19, ka të bëjë vetëm me largimin e Ronaldos dhe asgjë tjetër. Cristiano Ronaldo u largua gjatë verës nga Real Madridi për t’u transferuar në Serie A te Juventusi për më shumë se 100 milionë euro.
Ai iku nga “Santiago Bernabeu” duke marrë me vete shumë gola, diçka që ka vuajtur Reali këtë sezon. Kështu, edhe Fabio Capello si shumë të tjerë, mendon se Reali gaboi me 34-vjeçarin.
“Me të, mbrojtësit kundërshtar ia kanë pasur frikën Realit, faktori i besimit është shumë i rëndësishëm. Barça dhe Reali të gjitha ndeshjet i kanë nisur 1-0 dhe nëse dëshiron të fitosh, duhet t’i bësh dy gola së paku. Këtë vit, kjo i ka munguar Madridit, nisja e ndeshjeve 1-0. Tani i nisin ato 0-0, për këtë kanë pasur kaq shumë vështirësi”, tha Capello.
Ronaldo e veshi fanellën e bardhë për nëntë vite dhe shënoi 450 gola në 438 ndeshje – 12 gola më shumë se ndeshje.