Ish-presidentja e Konfederatës Zvicerane, znj. Micheline Calmy-Rey gjatë ditës së sotme ka qëndruar në komunën e Vitisë, me që rast nga Kuvendi Komunal i kësaj komune, e me propozimin e kryetarit të komunës, Sokol Haliti, është shpallur qytetare nderi.
Gjithashtu ajo ka marrë pjesë edhe në zbulimin e pllakës në sheshin që tani e tutje do të bartë emrin e saj.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti fillimisht e ka pritur në zyrën e tij ish presidenten dhe krye diplomaten e Konfederatës Zvicerane, znj. Micheline Calmy-Rey,për të arriturat dhe aktivitetet komunale, si dhe historikun e po ashtu potencialin që ka kjo komunë.
Gjatë këtij takimi kryetari Haliti e ka falënderuar atë në veçanti për angazhimin e saj për popullin e Kosovës si dhe nder tjerash potencoi se në shtetin Helvetik punojnë dhe veprojnë shumë qytetarë të komunës së Vitisë.
Në seancën solemne të kuvendit komunal, kryesuesi i këtij Kuvendi Naim Pira ka lexuar vendimin e këtij organi për shpalljen qytetare nderi të kryetares Calmy Rey.
“Me propozimin e kryetari të Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti dhe në bazë të nenit 12, paragrafi 12.1 dhe paragrafi 12.2 , të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendi i Komunës së Vitisë, në mbledhjen e mbajtur më datën 27.07.2017, ka marrë vendim “Për shpalljen “Qytetare nderi” e Komunës së Vitisë, ish presidenten e Konfederatës së Zvicrës, znj. MICHELINE CALMY-REY me motivacion: “Për kontributin e dhënë , në sensibilizimin e opinionit publik në Zvicër, Evropë dhe më gjerë, për domosdoshmërinë e krijimit të shtetit të pavarur e sovran të Republikës së Kosovës, si dhe në mbështetje të vazhdueshme të mërgatës shqiptare dhe integrimin e saj në jetën shoqërore e publike në Zvicër, si shteti me më së shumti qytetarë të komunës së Vitisë të cilët jetojnë e veprojnë atje. Ky çmim është vazhdimësi e falënderimit që diaspora kosovare i bënë shtetit zviceran, përmes vendosjes së një pllake falënderuese në vitin 2008, e të cilën e pati pranuar presidentja Calmy Rey”, ka theksuar kryesuesi Pira, i cili më pas ka ftuar kryetarin Haliti që ti dorëzoj vendimin e qytetarës së nderit.
Kurse në fjalën e tij, kryetari halite ka thënë se kontributi i zonjës Micheline Calmy Rey, dhënë në proceset për pavarësin e Kosovës, do të jetë i paharruar ndër gjenerata. “Kontributi i presidentes Calmy Rey, ishte i gjithanshëm, jo vetëm për ti shtyrë proceset përpara drejtë shtetësisë së Kosovës, por edhe për pozitën e mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër.
Gjithnjë e përkushtuar që migrantët e shteteve të ndryshme të botës të gëzojnë respektin, të drejtën dhe liritë e tyre, u cilësua si një udhëheqëse karizmatike nga shqiptarët që jetojnë e veprojnë në shtetin helvetik. Kosova, ka një numër të madh bashkatdhetarësh që jetojnë në shtetin zviceran të cilët punojnë dhe janë të integruar në jetën shoqërore e institucionale”,ka thënë Haliti.
Ai më pas ka shtuar se kontributi i mërgatës gjithnjë ka qenë shumë i madh, në mbështetje të proceseve të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar Kosova, në zhvillimin e vendit, por edhe në mirëqenien e shumë familjeve të tyre që jetojnë në vendlindje.
“Por jo vetëm kaq, Qeveria Zvicerane po jep një kontribut të madh edhe pas luftës duke ndihmuar ne zhvillimin e Kosovës, përmes projekteve të ndryshme, të cilat janë evidente dhe shumë të nevojshme. Prandaj, jemi falënderues shtetit zviceran për gjithë mbështetjen që i ka dhënë shtetit tonë në vazhdimësi”, është shprehur kryetari i komunës Sokol Haliti.
Ndërsa duke ju drejtuar të pranishmëve, ish presidentja e Konfederatës së Zvicrës Micheline Calmy Rey , është shprehur e emocionuar në shpalljen qytetare nderi e komunës së Vitisë.
“Jam krenare dhe shumë e emocionuar që sot po shpallem qytetare nderi e komunës së Vitisë. Gjithashtu, një nga sheshet e Vitisë, po pagëzohet me emrin tim. Jam e nderuar me këtë veprim të kësaj komune, Kuvendit Komunal që ka aprovuar këtë vendim të iniciuar nga kryetari Haliti, i cili pos që është një udhëheqës i suksesshëm , gjithashtu është edhe human”, ka thënë zonja Calmy Rey.
Duke folur për angazhimin e saj dhe shtetit zviceran në mbështetje të proceseve të Pavaraësisë së Kosovës, ajo tha se Zvicra që nga viti 2005 ka qenë në lobuese e këtyre proceseve, sikur që ajo është bërë një avokate për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës.
“E mbajta kauzën e Pavarësisë së Kosovës edhe në këshillin e Sigurimit, karshi qëndrimit të kundërt që kishte Rusia për pavarësinë e Kosovës. Andaj edhe ishte një sfidë për të mbajtur qëndrimin me argumente shumë reale. Konfliktet e kanë copëtuar vendin tuaj dhe kjo ka prekur edhe Zvicrën, pasi që në vendin tonë jetojnë e veprojnë rreth 200 mijë shqiptar. Shqiptarët janë Kantoni i 27 i Zvicrës, pasi që ata pos që po bëjnë shumë për Kosovën, po kontribuojnë edhe në jetën institucionale, publike e shoqërore në Zvicër”, ka thënë Micheline Calmy Rey.
Vizita e zonjës Calmy Rey, ka vazhduar në Panairin e produkteve vendore në qendër të qytetit të Vitisë, për të vazhduar me shpalosjen e pllakës në sheshin që do të mbajë emrin e zonjë Micheline Calmy Rey.
Një vizitë i është bërë edhe kishës katolike në Viti, për të vazhduar edhe një vizitë tjetër në Letnicë, e cila edhe ka përmbyllur vizitën e saj në komunën e Vitisë.