Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve F. Th., Xh. H. dhe L. M.
Të pandehurit F. Th., Xh. H. shtetas nga Republika e Shqipërisë dhe L. M. nga Republika e Serbisë, me vendbanim në Gjilan, me datë 24.01.2019, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, janë ndaluar nga hetuesit policorë dhe gjatë kontrollit janë gjendur një sasi prej 52 kilogramë e 357 gramë, substanca narkotike të llojit “marihuanë”.
Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale në bashkëveprim blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 dhe 5 si dhe nenet 31 dhe 35 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që i njëjtit po të gjenden në liri, mund të arratisen apo fshihen dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.