Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurve A.S., A.S., L.S., E.A., E.I.
Të pandehurit, shtetas të Republikës së Kosovës nga Komuna e Gjilanit dhe Novobërdës, dyshohet se me datë 21.12.2017, pas një mosmarrëveshje paraprake mes vete, kanë shkuar tek Restaurant “Berlini I” dhe në shenjë hakmarrje kanë sulmuar personin A. M., duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit me mjete të forta metalike, më këtë rast i dëmtuari është dashur të marr trajtim në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Me këto veprime të pandehurit, dyshohet kanë kryer disa vepra penale në bashkëveprim: 1) lëndim i rëndë trupor, 2) mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, 3) kanosje dhe 4) posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim deri më datë 20.01.2018.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.