Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. G.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij, ka kryer abortin ndaj të miturës, me ç’rast i njëjti ka treguar vendosmëri në kryerjen e veprave penale pasi që i kishte diktuar të dëmtuarës se çfarë të shkruaj në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit.
Gjithashtu i pandehuri gjatë kontrollit të dëmtuarës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.
Me këto veprime i pandehuri A. G. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’ndërprerja e shtatzënisë’’ dhe “moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Fillimisht kërkesa e prokurorit ka qenë për caktimin e masës së paraburgimit, por pas dëgjimit të deklaratës së të pandehurit dhe të mbrojtësit të tij, ka kërkuar që të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që i njëjti i ka premtuar Gjykatës që nuk do të ndikoi në dëshmitarë.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, me datë 29.09.2020, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë dhunuar të miturën./2LONLINE.com/