(2L ONLINE) – Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Leonard Miftaraj ka thënë se buxheti i hartuar nga Komuna e Gjilanit ka shumë probleme, duke filluar prej mosplotësimit të nevojave elementare të qytetarët e deri tek tentimi për ta fuqizuar Kryetarin e Komunës karshi çdo institucioni tjetër në Komunë.
“Zyra e Kryetarit parasheh që në vitin 2015, me 29 punëtorë, të shpenzojë mallra dhe shërbime 195.000,00 euro. Kjo do të thotë se një punëtor në zyrën e Kryetarit shpenzon 6.724,00 euro. Vetëm për nëntë muajt e këtij viti shpenzuan 217.000,00 euro, për dallim nga gjithë sistemi shëndetësor i cili për kokë punëtori, në të njëjtën kategori shpenzon 1.137,00€. Kurse, për një qytetar të Komunës, për një vit janë planifikuar 3 euro shpenzime për shëndetësi”, tha Miftaraj. duke ngritur problemin që vetëm 0,36% e buxhetit është ndarë për shëndetësi.
Ai theksoi se për vitin 2015, për shpenzime kapitale janë ndarë 200 mije euro më pak, dhe në të njëjtën kohë, kanë shkelur vendimin e Kuvendit Komunal për 70 mijë euro shtesë për bursa për studentë, pasi që këtë shifër nuk mund ta gjeni dot në asnjë ndarje buxhetore për 3 vitet e ardhshme. /2L ONLINE/