Miratimi i buxhetit për vitin 2015 nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, pasqyron në realitet “fukarallëkun” të cilën qeverisja e Lutfi Hazirit, do t’ua shtojë edhe më tej qytetarëve të komunës. Sipas këtij planifikimi buxhetor, në vitet e ardhshme do të ketë krizë të thellë financiare në komunë e Gjilanit, dhe mungesë të investimeve kapitale në çdo sektor ekonomik, thotë Riad Rashiti njëri nga Këshilltarët Komunal të PDK-së në Gjilan, thuhet në një reagim të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal Gjilan, të cilën po e japim në tërësi si m mposhtë:
***
Është për të ardhur jashtëzakonisht keq, që qytetarët e Gjilanit edhe në vitin 2013 u mashtruan dhe ranë viktimë e premtimeve boshe dhe fushatës së gënjeshtrave të udhëhequr nga kandidati i LDK-së për kryetar të komunës Lutfi Haziri. Fatkeqësisht, ata nuk u mashtruan për herë të parë nga ky kryetar që ka sot Gjilani.
Miratimi i buxhetit për vitin 2015 nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, pasqyron në realitet “fukarallëkun” të cilën qeverisja e Lutfi Hazirit, do t’ua shtojë edhe më tej qytetarëve të komunës. Sipas këtij planifikimi buxhetor, në vitet e ardhshme do të ketë krizë të thellë financiare në komunë e Gjilanit, dhe mungesë të investimeve kapitale në çdo sektor ekonomik, thotë Riad Rashiti njëri nga Këshilltarët Komunal të PDK-së në Gjilan.
Kryetari i komunës, duke mos pasur ende, asnjë lloj programi qeverisës (deri më tani asnjëherë nuk e ka paraqitur), ide dhe strategji të zhvillimit ekonomik, nuk mund të zhvillojë asnjë model qeverisës për të realizuar synimet e tij dhe premtimet politike të bëra gjatë fushatës elektorale.
Ai, duke mos pasur asnjë përgjigje, për atë se si duhet të zgjidhen problemet e shumta në komunë, si të gjenerohen dhe të rriten të hyrat vetanake në buxhetin komunal, se si të joshen investimet private dhe të jashtme në Gjilan, si të krijohen bashkëpunime dhe partneritete për projekte zhvillimore rajonale, si të ngritën kapacitete në institucionet komunale për të aplikuar me projekte konkrete në fondet e Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe te donatorë të shumtë të cilët i ka pasur Gjilani, ai po vazhdon të luaj ende me ndjenjat e qytetarëve të komunës tonë, të cilëve po u ri-kthen shpejt zhgënjimin sikurse në vitin 2006, kur e kishte lënë “Kryetarllakun” e Gjilanit dhe komunën e kishte lënë gjithashtu në “lloçë” dhe mjerim institucional dhe ekonomik.
Andaj, Lutfi Haziri në mungesë të plotë të ideve se çfarë duhet të bëjë me qeverisjen lokale, është fokusuar në politikat “madhore” të Prishtinës, vazhdon të “Vajtojë me lot Krokodili”, se Gjilani ka mbetur anash, është anashkaluar gjatë qeverisjes së PDK-së dhe Hashim Thaçit edhe pse u investuan gjatë gjashtë viteve, hiq më pak se 92 milion euro, në Infrastrukturë, në Arsim, në Zhvillim Ekonomik, Bujqësi dhe në sektorë të tjerë poashtu.
Qytetarët e Gjilanit nuk e kanë harruar se kur ka qenë ai për disa vite zëvendës Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe Ministër për disa vite, ai kurrë me asnjë projekt të vetëm nuk e ka mbështetur qeverisjen e atëhershme komunale të Gjilanit dhe jo që asnjë milion euro nuk e ka sjell për komunën e tij nga buxheti i qeverisë, por edhe ato pak mjete të ndara dhe që i kanë takuar buxhetit komunal, ai i bllokonte ato mjete financiare për qëllime dhe inate politike ndaj LDD e cila udhëhiqte me kryetarin e komunës.
Edhe pse Qeveria e atëhershme e Kosovës nuk dinte se si ta menaxhonte dhe shpenzonte buxhetin e planifikuar nga LDK-ja e dështuar e vitit 2006 dhe 2007, kur shkonin në suficit mbi 200 milion euro në vit, prapë Lutfi Haziri që ishte zëvendës Kryeministër i Kosovës, nuk bëri bash asgjë për qytetarët e tij edhe pse prej të cilëve ai personalisht ka përfituar në vazhdimësi. Gati për të harruar, se në të vërtet ai e paska bërë Decentralizimin dhe përgjysmimin e territorit të Gjilanit.
Vetëm pas ardhjes së PDK-së në pushtet në vitin 2008 Gjilanit iu kthyen shpresat me ardhjen e modelit qeverisës të Qemajl Mustafës dhe me ardhjen dhjetëra milionave euro nga buxheti i Kosovës dhe mbështetja e Kryeministrit Hashim Thaçi, që është shumë herë më e madhe se nga vet Lutfi Haziri.
Ndërsa tani me ardhjen e Lutfi Hazirit në krye të Gjilanit, janë ardhur edhe problemet e vitit 2006 dhe 2007, është kthyer zhgënjimi tek të gjithë qytetarët, studentët dhe nxënësit, bizneset dhe afaristët, fermerët dhe bujqit, sportistët dhe artistët edhe te të gjitha kategoritë e shoqërisë. Ky zhgënjim i menjëhershëm, rezultoi edhe me humbjen e tre mijë votave të LDK-së në Gjilan në zgjedhjet e 8 qershorit, në krahasim me zgjedhjet lokale të nëntorit të kaluar.
Por sot, të gjithë janë duke u ndier të fyer dhe të pashpresë edhe nga vet elektorati i cili e ka votuar këtë kryetar të dështuar të Gjilanit. Instalimi i qeverisjes Haziri në komunën e Gjilanit, për disa muaj ka degraduar secilin institucion komunal, ka bllokuar investimet nga sektori privat, ka humbur donatorët e shumtë, po rrezikon çdo të arritur e cila është bërë viteve të kaluara, ka cenuar rëndë buxhetin komunal me keqpërdorime të shumta të tenderëve, ka rënë mbështetja për kulturën, artistët, rininë dhe sportistët, është degraduar totalisht ambienti duke rrezikuar edhe shëndetin e banorëve të Gjilanit.
Deri në përfundim të mandatit të tij, qytetarët e Gjilanit duhet të luten “O ZOT ruana nga Cunami HAZIRI” sepse rreziku është jashtëzakonisht i lartë, sa herë ka qeverisur Lutfi Haziri, Gjilani ka përjetuar fatkeqësi, tërmetin, vërshimet dhe tani është rrezik për mbijetesë.