Sot në fabrikën e ujit në Letnicë të Vitisë, është bërë ingaurimi i sistemit të klorifikimit të ujit të pijshëm me gas, ky sistem cilësohet si më i avancuar që do të ndikojë në cilësinë e ujit të pijshëm.
Përndryshe ky projekt është fituar dhe implementuar nga GLV Vitia prej organizatës për Menaxhimin e Integruar të burimeve ujore në Kosovë, financuar dhe mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Programi i Qeverisë së Kosovës, i implementuar nga Skat Consulting Ltd. (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë e Mjedisit Austria (EAA).
Në inaugurimin e këtij sistemi, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se sistemi i klorifikimit me gas është më i avancuar dhe rrit cilësinë e ujit.
Ai shtoi se ky projekt është i një rëndësie të veçantë, pas investimeve dhe punimeve që janë bërë në zëvendësimin e gypit të burimit të Letnicës, që ishte nga asbest betoni.
Megjithatë kryetari Haliti shtoi se duhet të rriten edhe më shumë kapacitet e ujit në Letnicë, dhe atë në 100 litra në sekondë prurje dhe përpunim të ujit, duke shtuar se Vitia si komunë ka resurse të ujit për ta bërë këtë. Ai falënderoj të gjithë ata që kanë mundësuar që ky projekt të realizohet në komunën Vitisë.
Ndërkaq Agron Bektashi nga IWRM- K- SAKT, ndër tjerash theksoj se përmirësimi i cilësisë së ujit ndikon drejtpërdrejt edhe në shëndetin e qytetarëve por edhe të jetës së tyre.
Bektashi tha se shpreson që në fazën e dytë të projektit do të kenë projekte të përbashkëta me komunën e Vitisë. Kurse Ymer Salihu nga Hidromorava foli edhe për disa projekte të ujësjellësit që pritet të realizohen në komunën e Vitisë, konkretisht për një investim prej 12 milion e 500 mijë euro që do të investohen në komunat Gjilan, Viti dhe një pjesë e Kamenicës.
Përndryshe nga një fjalë rasti lidhur me këtë projekt e mbajtën edhe Fadile Demelezi dhe Selvije Rexhepi. /2LONLINE/