Shtetasit e Serbisë të cilët luftojnë jashtë vendit, veçanërisht në botën arabe, në të ardhmen do të mund të dënohen me burg apo marrje të shtetësisë.
Dy mijë kilometra deri në luftën e Sirisë kanë kaluar dhjetëra shtetas të Serbisë tregojnë të dhënat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (AIS) në Serbi.
Qytetarët e këtij shteti që po marrin pjesë në këto luftime, një numër i konsiderueshëm nga rajoni i Sanxhakut dhe një pjesë e vogël nga Lugina, në të ardhmen, me rastin e kthimit në vendlindje do të mund të dënohen me burgim, apo marrje të shtetësisë.
Zëvendës drejtori i AIS-it Dragan Markoviq i ka thënë televizionit publik se këta qytetarë pas kthimit në Serbi, bëhen kërcënim për vendin dhe rajonin, për shkak të rrezikut nga “ideologjitë ekstreme dhe terrorizmi”.
Si masë parandaluese për të marrë pjesë në luftimet në botën Arabe, Rasim Lajiq, kryetar i partisë Socialdemokrate të Serbisë, do t’i kërkojë Parlamentit ndryshimin e Kodit Penal, kështu që luftimi i qytetarëve të Serbisë jashtë vendit të dënohet si vepër e rëndë kriminale – për organizatorët me pesë vjet burg, ndërsa luftëtarëve nga tri vite, transmeton Titulli.
Mirëpo sa i përket këtij propozimi publiku ndanë mendime të ndryshme.
Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për politika të sigurisë thotë se një ligj i tillë është vështirë i aplikueshëm në Serbi.
“Në Serbi ka firma të cilat i trajnojnë dhe më pas i dërgojnë qytetarët në vende të ndryshme të luftimeve, si në Irak dhe Afganistan dhe kjo është duke u aplikuar për disa vite, derisa llogaritet se me mijëra njerëz në këtë mënyrë e kanë siguruar jetesën”, ka thënë Petroviq.
Ekspertët vlerësojnë se luftëtarët me prejardhje nga Ballkani që kthehen nga këto luftëra janë një kërcënim për rajonin.
Në parlamentin e Bosne e Hercegovinës është duke u folur për një propozim që luftimet e qytetarëve jashtë vendit të ndalohen.
Në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë mësohet se në nivel ndërkombëtar është duke u shqyrtuar propozimi që kthimi i luftëtarëve në vend të parandalohet duke ia marrë shtetësinë