(2L ONLINE) – Në kuadër të “Ditës së Rinisë” që është shënuar sot në Komunën e Gjilanit, është mbajtur debati me temën “Vullnetarimi, ndikimi tek të rinjtë dhe shoqëria”, të cilin e ka organizuar Unioni i Studentëve Pro Europian, në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.
Në debat ka marrë pjesë si paneliste kryesusja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, Bujar Haziri, drejtor i DKRS-së, Valdrin Halimi – kryetar i KVRL-së etj.
Në fjalën e saj, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi foli për përvojën e saj vullnetare në të mirë të shoqërisë, e cila e ka ndihmuar që të ecë drejt karrierës së suksesshme në politikë.
Bunjaku Rexhepi ka inkurajuar të rinjtë të merren sa më shumë me vullnetarizëm dhe në këtë mënyrë i kontribuojnë vetës dhe shoqërisë kosovare.
Në debat kanë kontribuuar me angazhimet e tyre edhe drejtori i DKRS-së, Bujar Haziri, pastaj Xhevat Bajrami, Valdrin Halimi, Mehmet Zylfiu e Genc Mustafa, të cilët theksuan nevojën dhe aktivizimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e punëve vullnetare.
Aktivitetet në kuadër të shënimit të “Ditës së Rinisë” kanë vazhduar me “Tryezën për Integrime”, në të cilën ka folur Burim Elezi nga Zyra për Integrime Evropiane e Komunës së Gjilanit, i cili tha se përpos rolit dominues në kthesat historike, të rinjtë konsiderohen bartës të proceseve për ndryshime pozitive e integruese në jetën shoqërore në vend.
Ndryshe, shfaqje e filmave tematikë kundër diskriminimit përmbyllë aktivitetet shumta të “Ditës së Rinisë”. /2L ONLINE/