(2L ONLINE) – Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit së bashku me Komitetin për Politikë dhe Financa, Drejtorinë për Buxhet dhe Financa dhe këshilltarët komunal nga kjo anë, kanë mbajtur sot debat me qytetar për planifikimin e buxhetit të vitit 2015.
Në këtë takim është prezantuar draft buxheti për vitin 2015, të cilin e ka planifikuar Komuna e Gjilanit, duke informuar banorët nga kjo anë me planifikimin e investimeve pikë për të cilën ishin më të interesuar të pranishmit në këtë dëgjim publik.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se pas konsultave me drejtorët, pas propozimeve të dhëna nga ta, pastaj pas draftit të parë dhe pas dëgjimit publik në sallën e Kuvendit të Komunës, kanë vendosur që debate me qytetarë të mbahen edhe në fshatra të ndryshme të Gjilanit, në mënyrë që planifikimi të jetë më i drejtë dhe në raport me kërkesat emergjente të qytetarëve për infrastrukturë publike.
“Ne kemi vendosur që pas draftit të parë, të hartuar nga Komuna e Gjilanit, dhe pas dëgjimit publik, të mbajmë edhe debate të tjera me qytetarë në fshatra të ndryshme në mënyrë që buxheti i miratuar më pas në Kuvendin e Komunës të jetë sa më afër kërkesave të qytetarëve. Për herë të parë po mbajmë debate me qytetarë nëpër fshatra. Këtë po e bëjmë për arsye se ju jeni ata të cilët e akumuloni buxhetin e Komunës përmes pagesës së taksave komunale. Prioritet në buxhetin e vitit 2015 ne i kemi dhënë katërshes së madhe të premtuar nga kryetari Haziri, e që janë: rrugët, kanalizimi, ujësjellësi dhe trotuar e ndriçim publik”, tha ajo ndër të tjerash.
Ndërsa Ilmi Limoni, zyrtar kryesor financiar dhe U.D. i drejtorit të Financave, ka dhënë detajet e buxhetit për vitin 2015. Ai ka spikatur kodin për investime kapitale, planifikimin për buxhetin në arsim, shëndetësi, mallra dhe shërbime, komunali etj.
E në anën tjetër disa nga qytetarët si: Nezir Neziri, Sokol Godeni, Ruhan Kurteshi etj, kanë parashtruar kërkesat që sipas tyre janë emergjente të investohen si, trotuari, asfaltimi i disa rrugëve brenda fshatit, asfaltimin e rrugës magjistrale, trafostacion për fshatin Goden, pastaj kërkesë për një shkollë në fshatin Haxhaj, sallën e sporteve për shkollën “Agim Ramadani”, por edhe largimin e deponive të egra brenda dhe jashtë zhegrës.
Këto kërkesa kryesuesja e Kuvendit ka thënë se do të shqyrtohen me kujdes dhe do të inkorporohen në buxhetin e vitit 2015. Ajo tha se një pjesë prej tyre tashmë nga ekzekutivi i Komunës janë planifikuar siç është trotuari, kanalizimi, disa investime në fshatrat tjera afër Zhegrës por edhe disa rrugica të kësaj ane.
Kontributin e tyre e kanë dhënë edhe Abdyl Aliu, shef i këshilltarëve të LDK-së, Isa Agushi e Jehona Hyseni, këshilltarë komunal nga kjo anë të cilët kanë mbështetur qytetarët në kërkesat e tyre. /2lL ONLINE/