(2L ONLINE) – Komiteti për Zhvillim Ekonomik është njohur të premten me punën e 6-mujore të Drejtorive për Bujqësi dhe asaj për Zhvillim Ekonomik, nëpërmjet raporteve të cilat i kanë prezantuar drejtorët Ramiz Ramadani (DBP) dhe Ismajl Januzi (DZHE).
Duke folur për punën e bërë në sektorin e bujqësisë, Ramdani ka thënë se nga muaji janar e deri më tani janë mbajtur 8 trajnime, ku janë përfshirë mbi 400 fermerë. Gjithashtu, kjo drejtori iu është përgjigjur të gjitha kërkesave të fermerëve, aty ku ka pasur mundësi.
Fermerët janë ndihmuar në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për subvencionet e MBPZHR, ku kanë aplikuar 787 bujq. Për lopë qumështore kanë aplikuar 222 fermerë, për dele – 52, për dhi – 20, për derra – 9, për bletë – 34.
Interesim të madh ka pasur edhe për kulturat lavërtare dhe perimore. Për farë gruri kanë aplikuar 331 fermerë, për misër – 101, për patate – 4, për fasule – vetëm 1, për shalqi – 4 fermerë.
Komuna e Gjilanit ka krijuar një grup punues, ku përfaqësohen edhe kompanitë bujqësore, shkolla e mesme bujqësore, kombajnerët, shoqëria civile dhe të tjerë dhe që ka për detyrë ndërtimin e një strategjie të përbashkët zhvillimore të sektorit të bujqësisë.
Sa u përket projekteve të realizuar në këtë fazë, Ramadani ka thënë se sivjet, në bashkëpunim me Karitasin e Luksemburgut janë shpërndarë 10 kultivatorë për fermerët e fshatrave Gadish, Kishnapole dhe Sllkoc si dhe mekanizëm shtesë për 30 fermerë të tjerë kësaj Malësie.
Ndërkaq, foli plastike kanë përfituar 307 fermerë të Gjilanit. Vlera e projektit është 15 mijë euro. Kurse me shtëpiza për bletë janë subvencionuar 104 bletarë, të cilët kultivojnë deri në 30 shoqëri bletësh.
Në bashkëpunim me qeverinë e Tirolit austriak dhe në partneritet me fermerët është përfunduar projekti i ujitjes së 6 hektarëve me pemishte në fshatin Përlepnicë. Tani është proces realizimi i projektit të serrave komerciale, ku do përfitojnë 16 prodhues të perimeve.
Komuna e Gjilanit ka përkrah me farë edhe kultivuesit e misrit, me një sasi prej 650 thasëve, ku përfitues kanë qenë 348 fermerë.
Por, bujqësia ka pasur edhen dëme nga vërshimet. Komisioni ka konstatuar se dëmet e përgjithshme në kulturat bujqësore kapin vlerën 75,446 euro. Ramadani është pesimist sa i përket kompensimit të dëmeve nga Ministria e Bujqësisë, meqë deri tani nuk është përgjigjur në kërkesën zyrtare të pushtetit lokal, edhe pse vlerësimi është shumë real.
Ramadani ka prezantuar edhe një raport të shkurtër për korrje-shirjet, duke nënvizuar se rendimentet janë nën ato që janë pritur, por që sillen në mesataren e Kosovës – rreth 4.500 kg për hektarë. Ai ka thënë se Gjilani nuk ka tokë të mjaftueshme për t`i plotësuar nevojat e popullatës së saj me bukë, por në të ardhmen duhet të praktikohen cvaritete të farërave të drithërave që japin rendimente më të larta.
DZHE synon të sjellë sa më shumë investime në Gjilan
Ndërkaq, drejtori Ismajl Januzi ka thënë se Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik ka punuar me shumë përkushtim në projekte të ndryshme dhe ka aplikuar te qeveria dhe donatorët për të sjellë sa më shumë investime kapitale dhe disa prej tyre kanë kaluar fazën e parë.
Qëllimi kryesor është kompletimi i infrastrukturë bazike nëntokësore, për të vazhduar me projektet tjera, ka thënë Januzi.
Në fokus të punës së kësaj drejtoria janë edhe projektet e partneritetit publiko privat (PPP), siç janë transporti publik, kompleksi i shkollave të mesme, çerdhet dhe të tjera, ka thënë Januzi.
Ai shtoi se projekti i transportit është gati, ndërkohë që do të vazhdohet tutje edhe me projektin e shkollave të mesme, ku ka qenë e nevojshme të bëhet një revidim, për të mos e mbyllur një rrugë të kahershme.
Januzi e ka vlerësuar të suksesshëm edhe Panairin regjional, ku Komuna nuk ka shpenzuar asnjë cent, meqë ky aktivitet është subvencionuar nga Zyra e KE dhe bankat.
Jehona Hyseni, kryesuese e KZHE, ka thënë se panairi regjional ishte një mundësi e mirë për promovimin e prodhimeve vendore lokale, por edhe një rast i volitshëm për prodhuesit që të njihen dhe shkëmbejnë përvojat mes tyre. Në këtë panair, që kishte karakter promovues dhe shitës, kanë marrë pjesë mbi 100 prodhues të regjionit të lindjes. /2L ONLINE/