Përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Serbisë dhe Kosovës takuan udhëheqësit e bizneseve lokale të komunave Bujanoc dhe Preshevë me të cilët diskutuan mundësit e zhvillimit të ndërmarrjeve të dhe distribuimit të produkteve të tyre.
Marko Çadezh, kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë tha se ai së bashku me kolegun nga Kosova janë duke punuar në lehtësimin e komunikimit mes bizneseve të të dyja vendeve.
“Jemi pajtuar se komunikimi mes dyja vendeve të jetë në të mirë të zgjidhjes se problemeve të ekonomisë dhe zhvillimin e partneritetit të përbashkët”, është shprehur Çadezh në Bujanoc.
Safet Gërxhaliu , kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës është shprehur se paksa duhet të mënjanohet politika dhe se më shumë të flitet me gjuhën e biznesit për të mirën e qytetarëve.
“Ne e kemi një problem të përbashkët e ky është papunësia dhe mendojë se është një fillim i mbarë që ky rajon përmes ekonomisë mundë të arrijë perspektivë të zhvillimit të përbashkët”, deklaroi Gërxhaliu, shkruan Titulli.com.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi nikoqir i këtij takimi theksoi se komunat Bujanoc dhe Preshevë mbeten të varfura dhe të pazhvilluara .
“Të gjitha iniciativat që ndërmerren nga bizneset e ndryshme dhe nevojitet ndihma e komunës ne do t’i mbështesim me të gjitha lehtësirat”, tha mes tjerash Kamberi.
Për rëndësinë e zhvillimi ekonomik foli edhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi i cili potencoi shembullin e fundit të nismës për hapjen e fabrikës së këpucëve “Solid” nga Kosova në Preshevë që do të punësoje fillimisht afro 70 veta.
“Jemi në një proces si politik ashtu edhe ekonomik dhe ne si aktor politik lokal do të japin kontributin tonë në zhvillimin e biznesit privat”, vlerësoi Arifi.
Të pranishëm në takimin e mbajtur në sallën e shtëpisë së kulturës në Bujanoc ishin një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të biznesit lokal nga Bujanoci dhe Presheva.
Gjatë takimit Marko Çadezh ka thënë se nga muaji Janar i vitit 2017 në Bujanoc dhe Preshevë do të hapet zyrat e Odës Ekonomike të Serbisë me qëllim të ndihmesës së bizneseve lokale.