Në Bujanoc është bërë propozimi i buxhetit komunal për vitin e ri 2015-të nga ana e Këshillit. Për dallim nga viti që po e lëmë pas, propozim buxheti i ri është më i ulët për 5 milion dinarë.
Në seancën e shtatëmbëdhjetë të Këshillit Komunal të Bujanocit është aprovuar propozim vendimi i buxhetit të Komunës së Bujanoci me një shumë të përgjithshme prej 903 milionë e 280 mijë dinarë.
Kjo shumë është për 5 milion dinarë më e ulët se ajo e vitit 2014-të, ndërsa nëse merret edhe tatimi në paga, që ka ndryshuar nga vitet e kaluara, atëherë buxheti i komunës do të jetë më i varfër për 25 milion dinarë, raporton Titulli.com.
Se viti që po vjen do të jetë i vështirë e pranon edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
“Ky vit do të jetë pak i vështirë, jo vetëm në realizimin e këtij programi, por është e vështirë edhe sa i përket realizimit të të hyrave sepse Serbia është në një gjendje shumë kritike ekonomike, por kjo ndikon edhe në mënyrë direkte dhe indirekte në buxhetin e komunës”.
Ajo që vërehet në këtë propozim buxhetor janë mjetet e parapara për punësim, që janë simbolike krahas atyre për investime infrastrukturore.
Këshilli të hënën votoi propozimin që rreth 200 milionë dinarë të dedikohen për infrastrukturë, kurse vetëm 5 milionë për subvencionime të ndërmarrjeve për punësim të punëtorëve, si dhe 10 milion për aftësim profesional.
Duke parë situatën e rëndë ekonomike dhe papunësinë e lartë, buxheti i propozuar nuk mund të përmbush as kërkesat elementare për zbutjen e këtij fenomeni në këtë komunë.