Në sallën e Kuvendit Komunal të Bujanocit të premten është bërë nënshkrimi i 99 kontratave të përkohshme pune, 59 për aftësim profesional, 33 për subvencionim të ndërmarrjeve private, 6 nëpunësve në drejtoratin tatimor për regjistrimin e pasurisë dhe një praktikantë në administratën komunale.
Në një ceremoni të përbashkët të nënshkrimit të marrëveshjeve me administratën komunale morën pjesë sikurse drejtuesit e ndërmarrjeve private, njashtu edhe ata nga institucionet publike dhe arsimore.
“Kemi rastin t’i ndajmë kontratat për drejtorët e shkollave, të organizatave publike, që kanë bërë kërkesë për aftësimin profesional të 59 personave që kanë kryer fakultetin dhe shkollimin e lartë. Poashtu do të kemi mundësi të ndajmë 33 kontrata, apo 33 persona do të kenë mundësi të punësohen në kompanitë private, 6 kontrata do të ndahen për drejtoratin tatimor dhe një në administratën komunale”, u shpreh kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, para nënshkrimit të kontratave, raporton Titulli.com.
Arifi shtoi se nga dita e sotme gjithsejtë 99 persona do të kenë mundësi të fitojnë vendin e punës.
Lidhur me marrëveshjes mes vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve/ndërmarrjeve publike të nënshkruar të premten, portali informativ Titulli ka mësuar se kontratat në fjalë parashohin që kandidatë me arsim të lartë do të angazhohen në ndërmarrjet publike nga data 1 qershor, ndërsa nga 15 gushti punën për aftësim profesional, në një afat prej një viti, do ta fillojnë kandidatët e paraparë për institucionet arsimore.
Komuna e Bujanocit në bashkëfinancim me Progresi Evropian angazhon 6 persona në drejtoratin tatimor, për regjistrimin e pasurisë, për të cilën evropianët kanë ndarë 15.000 euro derisa komuna 5.500 euro.
Vetëqeverisja lokale me në krye kryetarin Nagip Arifi, me nënshkrimin e sotëm për subvencionimin e 33 ndërmarrjeve private, për një të punësuar do të japë subvencion prej 150 mijë dinarëve (1.200 euro), që do të shërbejnë për mbulimin e taksave kundrejt shtetit, derisa kompania që angazhon punëtorin do të jetë e obliguar që t’ia sigurojë pagën.
Edhe ky subvencionim do të jetë në një afat kohor prej një viti.
Sipas drejtuesve të kompanive që nënshkruan fitimin e këtyre mjeteve, ky angazhim i punëtorëve nuk don të thotë edhe zbutje e papunësisë, pasi sipas tyre shumica e punëdhënësve vetëm se bëjnë legalizimin e punëtorëve, të cilët deri më sot kanë qenë duke punuar pa sigurim, dhe rrallë që angazhohet ndonjë punëtorë i ri.
“Mjetet që sot u dhanë nga komuna shkojnë në llogari të shtetit pasi paguhet sigurimi dhe jo edhe rroga e punëtorëve. Rrogën duhet të ja sigurojmë vet. Unë i kam fitu mjetet për një punëtorë të cilin edhe e kam të angazhum që disa vite, tash vetëm se e legalizojë, por nuk mundem me marrë punëtorë të ri”, i tha Titullit me anonimitet njëra nga nënshkruesit e kësaj kontrate me komunën.
Në mesin e përfituesve të subvencionimit është edhe shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Arbër Pajaziti, i cili menaxhon kafiterin në qendër të Bujanocit.
Nga ana tjetër, kandidatët potencial për aftësimin profesional, ndonëse të kënaqur me punësimin e përkohshëm, ata prapa mikrofonit, dyshojnë se kontrata në fjalë ka prapavijë politike, pasi angazhimi përfundon në kohën kur edhe duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Vlen theksuar se Komuna e Bujanocit për aftësimin profesional të kandidatëve ka ndarë 10 milion dinarë (82.000 euro), derisa për subvencionimin e ndërmarrjeve 5 milion dinarë (41.000 euro).
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=12367