Gjilan – (2LONLINE) – Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit, kanë bërë të ditur se vetëm brenda periudhës një javore, njësiti i urdhëresave, ka realizuar gjithsejtë 85 urdhëresa te gjykatave përkatëse, prej të cilave kishte urdhëresa të tilla si urdhëresa për burg efektiv, urdhëresa për kundërvajtje, apo edhe urdhëresa me datë të caktuar.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka bërë të ditur për Portalin “2lonline”, se njësiti i urdhëresave i PK-së, vetëm brenda periudhës një javore, me urdhëresë të Gjykatës Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda, Gjykatës Themelore, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme dhe Gjykatës Themelore, Departamenti për Kundërvajtje, ka realizuar 85 urdhëresa.
Toger Hashani ka bërë me dije se sipas njësitit që ka realizuar këto urdhëresa të gjykatës, 19 janë urdhëresa me datë të caktuar, prej tyre 3 të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe 16 të tjera nga Gjykata Themelore, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme
Pastaj, janë realizuar 9 urdhëresa me burg efektiv, të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, si dhe 57 urdhëresa për kundërvajtje, të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti për Kundërvajtje.
Ndërsa, duke folur për statistikat e incidenteve të regjistruara, po për të njëjtën periudhë kohore shtatëditore, zëdhënësi Hashani ka thënë se janë shënuar 65 Incidente. Sipas tij, janë arrestuar 45 persona. Aksidente trafiku, me lëndime, kanë qenë gjithsej 12, derisa 11 të tjera ishin aksidente trafiku me dëme materiale por pa të lënduar, ndërkohë që janë gjobitur 558 kundërvajtësit me tiketa gjobë. /2lonline/