(2L ONLINE) – Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë periudhës shtatë ditore, në Rajonin e Gjilanit ka pasur 31 aksidente trafiku nga të cilat 16 me lëndime në njerëz dhe 15 aksidente trafiku me dëme materiale, por pa lëndime.
Hashani tha se gjatë kësaj periudhe janë shënuar përgjithësisht 51 incidente të ndryshme, ka pasur 29 persona të arrestuar dhe janë shpërndarë 672 tiketa gjobitëse për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë respektuar ligjin.
Përndryshe kur jemi te aksidentet e trafikut, zëdhënësi Hashani ka bërë të ditur rasti më i ri është regjistruar në Viti. Deri te aksident trafiku dyshohet të ketë ardhur derisa vetura Mercedes, me targa vendore, të cilën e drejtonte vozitësi shqiptar, shtetas i Kosovës, në pamundësi për të ndalur veturën e tij për tu kyçur në rrugën kryesore, del në korsinë tjetër dhe godet veturën Mercedes po me targa vendore.
Sipas Hashanit me këtë aksident lëndime trupore të lehta marrin drejtuesi i veturës së dytë dhe dy pasagjeret e tij, po ashtu shkaktohen edhe dëme materiale të konsiderushme.
Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt gjyqësore. /2L ONLINE/