Brenda javës mund të pritet shpallja e fituesit të tenderit për projektin e rikonstruimit të stadiumit të qytetit të Gjilanit, një projekt në vlerë prej 3 milion e 800 mijë euro, dhe se nëse çdo gjë do të shkon në rregullë, atëherë mund të pritet edhe nënshkrim i marrëveshjes me fituesin dhe më pas edhe nisja e punëve që parashihet të kryhen brenda tri viteve, ashtu siç parashihet me projekt.
Këtë për Portalin 2LONLINE, e ka bërë të ditur Salih Kqiku, drejtori Departamentit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit, sipas të cilit, brenda javës pritet të kryhen të gjitha punët dhe të shpallet fituesi i këtij tenderi.
Kqiku ka bërë me dije se në këtë tenderë kishin aplikuar tetë operatorë ekonomik dhe se ofertat ishin hapur javë më parë, por me qenë se disa nga zyrtarët e komisionit ishin me pushime, është zvarritur paksa kjo punë, por se tani komisioni është i kompletuar dhe po punon në vlerësimin e ofertave, dhe se brenda kësaj jave mund ta kemi edhe të shpallur fituesin, për të proceduar tutje me hapa tjerë.
Përndryshe, Kqiku e ka vlerësuar këtë si një projekt të mirë, projekt kapital, i cili parashihet të kryhet brenda tri viteve, ashtu edhe siç janë paraparë mjetet sipas marrëveshjes, dhe se buxheti sigurohet nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport dhe Komuna e Gjilanit.