Nga: Zejnullah Jakupi
Ngjarjet e këtyre ditëve i shoh në disa dimensione. Ka një „shkrirje akulli“ nga ana e akterëve serbë, siç u vërtetua nga Nikolla Sandulloviç kur tha para se ta rrahin BIA serbe se serbët e Kosovës nuk duhet t´i dëgjojnë opozitën në Serbi, duhet ta harrojnë qeverinë e Aleksander Vuçiqit dhe listën e bandës kriminale (SNS) të largohen nga Beogradi dhe të bashkëjetojnë me shqiptarë të cilët kanë bashkëjetuar me shekuj me njëri-tjetrin dhe avokati i tij Çedomir Stojkoviç i cili erdhi në Kosovë për të dhënë mesazh, e dëshmoi me vepër se po „përpiqen për paqen“. Se ne, pra dy popujt, serbët dhe shqiptarët „duhet të përpiqemi për pajtim!“ Sepse nga kjo varet e ardhmja e fëmijëve tanë, ka thënë Stojkoviç dhe ka vërë kurora lulesh pran varrit të Blerina Jasharit në kompleksin Memorial „Adem Jashari“.
Diçka e pa menduar dhe e pa parafytyruar më parë ose e pa imagjinuar se do të kishte mundur të ndodhte ndonjëherë.
Dhe, për të ardhur deri tek ky ndryshim, për fillimin e shkrirjes së akullit duhen ndryshim rrethanash. Ta themi se ky zhvillim nuk ka mundur të ndodh pa Albin Kurtin. Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq që kur janë në pushtet nuk e kanë bërë këtë. As në kohët e qeverive të mëparshme në Kosovë nga viti 1999 e këndej.
Ata, sidomos Rama-Vuçiq janë përpjekur për ndonjë plan të tyre, „Ballkanin e Hapur“ i cili natyrisht ka qenë më shumë për interesa qeveritare të Serbisë se sa të Shqipërisë shumë më pak për demokratizimin e shoqërive të dyja vendeve. Me këtë rast dy liderët Rama-Vuçiq e kanë njohur njëri-tjetrin.
Pra kur vjen ndryshimi ai vjen edhe si frymë, e cila nuk mund të lidhet vetëm me një individ, por krijohen edhe kushtet, të cilat i krijojnë akterët dhe rrethanat.
Akteri nga ana serbe nuk ishte shok, as mik i Aleksander Vuçiqit. Ate nuk e kishte dërguar qeveria serbe, madje avokati serb Stojkoviç do ta çmontojë dhe do e „ dridhë“ Serbinë me deklaratat e tija kundër regjimit të kaluar të kohës së Millosheviqit dhe duke e përmendur se Aleksander Vuçiq dhe partia e tij është zgjatimi i atij regjimi.
Në fjalimet e tij Stojkoviç foli për „boshtin e së keqes“, Serbinë e Sllobodan Millosheviçit, se Aleksander Vuçiq ishte dhe mbetet e keqja e vendit të tij, e Serbisë. Ishte Aleksander Vuçiq, sipas tij, sikur Jozef Gebbels në Gjermaninë nazifashiste e cila ushtroi gjenocid mbi popullin hebre. Ky i pari mbolli urrejtje dhe vdekje në Ballkan tre dekada më parë (Gjenocid në Stebrenicë, përpjekje gjenocidi në Kosovë dhe Krime Kundër Njerëzimit, vërejtja ime) ndërsa në fillim të janarit e 2024 e kishte rrahur dhe arrestuar klientin e tij të kombit të tij, i cili qëndronte pikërisht në Prekaz. Akuza formale dhe zyrtare e autoriteteve gjyqësore të Serbisë thoshte: “Serbi ka vendosur lule mbi varrin e vajzës së vrarë shqiptare Blerina Jasharit dhe prandaj duhet ta arrestojmë” dhe vazhdon: „25 vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, me të drejtë pohon Stojkoviç, Serbia arreston dhe rrah njerëz pse vendosin lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë që duan pajtimin mes kombeve“.
Boshti i së keqes është sipas tij njëjta marrëdhënie e përgjakshme e krijuar në vitet nëntëdhjetë që shkatërroi shoqërinë serbe dhe po e bën edhe sot, duke përmendur vrasjet si në vijim; Slavko Ćuruvija; – vrasja e Ivan Stamboliqit; – vrasja e Zorando Xhinxhiqit; – vrasja e Oliver Ivanoviqit; – rrahja dhe arrestimi i demonstruesve dhe studentëve; – vjedhjet në zgjedhje; – rrahja dhe arrestimi i Nikolla Sanduloviqit”, ka thënë Stojkoviç.
“Është ajo marrëdhënie e përgjakshme agresive nga e cila ikën të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë dhe kërkuan strehim në shtetet e reja të krijuara për t’u larguar nga ajo e keqe. Sllovenët, maqedonasit dhe kroatët, boshnjakët, malazezët dhe sigurisht shqiptarët. Vetëm serbët nuk arritën të shpëtojnë nga ai bosht i së keqes i krijuar nga Sllobodan Millosheviqi, Vojisllav Sheshelj dhe Mirjana Marković, i cili bosht vazhdon të rrotullohet edhe sot nga trashëgimtarët e tyre formalë e thelbësorë dhe të korruptuar Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin, identikë me ambientet e diktaturës, shtypjes dhe keqdashjes. Dhe serbët po ikin nga i njëjti aks – tani. „Ju zgjodhët të heshtni për Nikolla Sanduloviçin sepse nuk ju pëlqen. Më lër të shoh çfarë justifikimi do të keni për mua“, ju drejtua z. Stojkoviç autoriteteve shtetërore serbe.
Gjithashtu Stojkoviç në TV-Dukagjini „Debat Plus“ (18.01.2024) akuzoi Aleksander Vuçiqin, i cili sipas tij ka marrë Urdhrin e Nderit „Aleksander Nevski“ nga Vladimir Putin dhe sipas tij A. Vuçiq i ka shërbyer shtetit rus, KGB-së dhe V. Putinit duke qenë agjent i tij për 20 vite rresht.
Sipas tij, A. Vuçiq flet me dy gjuhë. Tek ndëkombëtarët paraqitet si properëndimor, ndërsa në Serbi kur flet për konsum të brendshëm e tregon fytyrën e tij të vërtetë. Ai e përdorë Kosovën për të mbetur në pushtet dhe po mos të ishte NATO ai do të sulmonte Kosovën, siç e bënë me manovrat e tij në kufi. Gjithashtu sipas tij ai qëndron edhe pas sulmit në veri më 24 shtator 2023 dhe janë po ata njerëzit e Millan Radojçiqit që e kanë rrahur klientin e tij.
Pra, siç u pa qartë; Stojkoviç ja nxorri të gjitha të palarat e Aleksander Vuçiqit, e zhveshi të tërin, ndërsa e lavdëroi qeverinë e Albin Kurtit.
Dhe tani po shtrojmë pyetjen, se si ndihet vallë shoku i Aleksander Vuçiqit, Edi Rama? Edhe ai nuk po sillet mirë me shqiptarë brenda shtetit, as me Kosovën. Qëndrimi i Edi Ramës ndaj opozitës është skandaloz dhe mizor që thyen rregullat e demokracisë.
E përfund duhet thënë se pushtetet totalitare janë të dhunshme dhe hegjemoniste. Ata përdorin gjuhën e njëjtë, e mbysin frymën demokratike, i burgosin, i rrahin dhe në fund i vrasin kundërshtarët politik.
Tani bëni dallimin! Se a duhet te ketë zgjedhje të reja në Kosovë, në këtë situatë. Besoj se jo.
Tani e kanë radhën t´i qërojnë hesapet garnitura e Aleksander Vuçiqit, ish ministri i Propagandës, i rezhmit kriminal. Por, siç tha Stojkoviç, krimineli kur nuk pendohet për krimet e kryera.
Sikur të vinte një ndryshim rrënjësor, ashtu siç e përmend dhe e dëshiron z. Stojkoviç, atëherë ka shans se do mund të bëhet pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve, siç është bërë mes gjermanëve dhe francezëve, pas Luftës së Dytë Botërore.
Por për këtë duhet ndryshimi politik dhe ai i gjithmbarshëm shoqëror në Serbi, që të hiqet „Boshti i së keqes“- marrëdhënia e përgjakshme e krijuar në vitet nëntëdhjetë që shkatërroi shoqërinë dhe vendin e tij. Z. Stojkoviç apelon se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe ta ndihmojë si shtetin fqinj për tu anëtarësuar në të gjitha organizatat ndërkombëtare, sepse një shtet mund te jetë mirë vetëm kur edhe fqinju i tij është mirë.
Ky është një paralajmërim i qartë i z. Stojkoviç se „e keqja nuk është mposhtur (akoma), se ajo pret kohën e saj për t’u rizgjuar. Ajo e keqe tani po përpiqet të vrasë shpresën se e ardhmja jonë e përbashkët cilësore është e mundur”. /2LONLINE/