Numri i talentëve të futbollit me origjinë nga Kosova, të cilët aktivizohen dhe bëjnë karrierë profesionale, çdo ditë e më shumë po shtohet anekënd kontinentit të vjetër e më gjerë.
Njëri nga ta është Bleron Berisha, i cili së bashku me skuadrën e tij 1FC Magdeburg, pas një edicioni të jashtëzakonshëm kanë siguruar hyrjen në rangun më të lartë të garave në Gjermani, në Bundesliga për grupmosha U19.
Berisha, i cili aktualisht ka vetëm shtatëmbëdhjetë vjet, paraprakisht është grumbulluar edhe në ekipin përfaqësues të Kosovës për grupmoshat U19, ndërkohë që paralelisht ka zhvilluar edhe edicionin e
garave në Gjermani.
Ndonëse potencialisht konsiderohet se është njëri nga portierët e dëshmuar për nga kualiteti, ai nuk është ftuar së fundi në garat preliminare të vitit të kaluar me përfaqësuesen U19 të Kosovës, por arritja e synimit të tij dhe skuadrës së tij për t’u inkuadruar në ligën elite të futbollit gjerman për këto grupmosha, do të jetë një adut, sprovë dhe përvojë tejet e rëndësishme për të ardhmen e tij në këtë rang garash, sikundër edhe në përfaqësuesen e Kosovës, në të ardhmen e afërt.
Përveç që është portier, vlera e të cilit çmohet në klub për këto grupmosha (1FC Magdeburg), Berisha ishte aktivizuar për më se dy vite edhe në përfaqësuesen e Republikës së Würtenbergut dhe një vit u aktivizua për Sachsen Anhalt.
Ai vlerësohet nga ekspertë të ndryshëm si portier me potencial e me të ardhme premtuese.
/Xhemail Veseli/