Gjilanasja Bleona Arifi, absolventE e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, këto ditë, përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, botoi vëllimin e parë me poezi, “Dhembjen lerma mua”, përmes të cilit i bashkëngjitet skenës letrare gjilanase si një pasuese premtuese e emrave të shquar të letërsisë sonë si, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Mirko Gashi, Ibrahim Kadriu … si pjesë e brezit më të ri letrar bashkë me Linditë Ramushi Dushkun, Alketa Spahiun, Alisa Bekteshin, Kaltrina Berishën etj.
Redaktorja e këtij vëllimi poetik, shkrimtarja Albina Idrizi, duke i vlerësuar poezitë e Bleona Arifit, mes tjerash thekson se poezitë e përfshira brenda kopertinave të këtij libri, mahnisin me pjekurinë e vargut, thellësinë e mendimit, artilkulimin e veçantë të emocionit. Subjekti lirik i këtyre poezive, që në të vërtetë vetëreferon autoren, meqë poezitë janë të shkruara në veten e parë, kundron dhe kupton njëkohësisht veten brenda një realitetit që e jeton.
Poezia e kësaj poeteje më të re nga Gjilani, sipas Albina Idrizit, , karakterizohet me një gjuhë të zgjedhur e të matur, me dezintegrimin e zhgënjimeve e mëdyshjeve deri tek një integrim plot vullnet e shpresë në një hapësirë, qoftë ajo edhe imagjinare, por e bukur dhe më të denjë, ku me semantikën e fjalëve, melodinë dhe rrjedhshmërinë e shprehjes, emocionin sublim që i përshkon ato si rezultat i eksplorimit të thellë shpirtëror, është kontribut në poezinë tonë bashkëkohore.
Ndërsa shkrimtari e botuesi Sabit Rrustemi, duke e mirëpritur hyrjen e saj në fushën e letërsisë, shton se vëllimi i saj i parë, “Dhembjen lerma mua”, jo vetëm dëshmon përkushtimin e saj për të shkruar, po njëkohësisht edhe dhuntinë, apo “t’lemen” siç thotë populli, që ka kjo autore e re për t’ kontribuar me krijimet e saja në këtë fushë.
Po sipas Rrustemit, vargu i Bleona Arifit rrjedh e vjen aq i kristaltë në duart e lexuesit sa t’bën që të dyshosh se ky nuk është libri i saj i parë… por, i dyti a i treti. Ka një ndërtimpoetik, sa përmbajtjesor, poaq edhe figurativ, sidomos kur arrin ta urtojë ndjenjën dhe, ta kthej atë në art.
Vëllimi poetik “Dhembjen lerma mua”, që përbëhet nga tre cikle poetike ku dominon poezia me tematikë dashuria, përmes një përrurimi që do të ndodh më 16 tetor 2021, do t’i hap njëkohësisht edhe veprimtaritë leTrare të edicionit të 12-të të Manifestimit tashmë tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”,që organizohen nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në bashkëpunim edhe me Bibliotekën e Re të Qytetit. ( K. Rexha )
/Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan/