Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, pritet që, të martën, në selinë e tij t’i ulë në një tavolinë krerët e futbollit të Kosovës dhe ata të Serbisë në kërkim të një zgjidhje për futbollin kosovar. Këtë takim e ka konfirmuar kryetari i FFS-së, Tomislav Karaxhiq për mediat serbe, derisa drejtuesit e FFK-së kanë deklaruar se ende janë në pritje të një ftese zyrtare.
Blater gjatë vizitës që i kishte bërë Beogradit në qershor kishte premtuar se do të gjej një zgjidhje solidare për Kosovën deri në tetor të këtij viti. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se ende nuk kanë marrë konfirmim nga FIFA për mbajtjen e këtij takimi, por janë në pritje të ftesës nga ana e Blaterit.
“Nuk kemi asgjë të konfirmuar, por jemi në pritje dhe të gatshëm për t’u takuar”, ka thënë shkurt Vokrri, transmeton RTK.
Në anën tjetër kryetari i federatës serbe, Tomislav Karaxhiq, duke folur për gazetën “Alo” në lidhje me siç e kanë quajtur mediat serbe incidentin e ndodhur në ndeshjen Bajern Munih – Viktoria Plzen, ku disa tifozë kosovarë e kanë shpalosur pankartën “Pranojeni Kosovën në UEFA”, ka konfirmuar se më 29 tetor do të mbahet takimi trepalësh FIFA-FFK-FFS, në lidhje me çështjen e futbollit të Kosovës.
“Kjo është edhe një formë tjetër e presionit që bëhet ndaj UEFA-s e FIFA-s dhe e gjithë kjo po ndodh para takimit të përbashkët më 29 tetor, në të cilin do të flitet sërish për përpjekjet e Federatës së Futbollit të Kosovës në garat zyrtare. Tash për tash, po u rezistojmë me sukses të gjitha sulmeve, po punojmë ekskluzivisht duke u konsultuar me qeveritarët tanë dhe jam i bindur se ata nuk do të arrijnë të marrin pjesë në kualifikimet për Kampionatet evropiane dhe botërore, për aq kohë sa Kombet e Bashkuara nuk i njohin si shtet”, ka thënë Karaxhiq.
Tutje Karaxhiq ka rikujtuar opinionin në Serbi se FIFA ua ka lejuar përfaqësueseve të grupmoshave të reja të Kosovës që të luajnë ndeshje ndërkombëtare dhe të marrin pjesë në turne zyrtar, por pa flamur, himn dhe karakteristika tjera që siç ka thënë ai të ‘ashtuquajturit shtet i Kosovës’.
“Ne këtë duhet ta pranojmë, por mendoj se nuk do të pranojmë diçka më tepër se kjo. Do t’i ndjekim edhe negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por do t’i përmbahemi vendimeve të UEFA-s dhe FIFA-s.
Në këto dy institucione kemi shumë miq, me të cilët zhvillojmë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe ata tash për tash, së paku kur është në pyetje anëtarësimi i Kosovës, janë goxha korrekt. Ata i kanë respektuar rregullat dhe shpresoj se kështu do të vazhdojë edhe më tutje. Pra, ne mund të pajtohemi me qëndrimin e FIFA-s që të gjithë fëmijët, përfshirë edhe ata nga Kosova, duhet të luajnë futboll, por nuk do të lejojmë që dikush nën këtë parullë të propagandojë karakteristikat e një shteti joekzistent”, ka shtuar kreu i futbollit serb.