Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë së bashku me Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, janë takuar me bizneset e Komunës së Kamenicës.
Fokusi kryesor i këtij takimi ka qenë tema “Sfida e të bërit biznes në Komunën e Kamenicës” dhe të gjithë përfaqësuesit e bizneseve patën mundësinë që të shprehin nevojat, kërkesat dhe problemet me të cilat ballafaqohen.
Vlen të theksohet se fokus të veçantë kishte edhe rëndësia e kanalizimit të interesave të përbashkëta përmes shoqatave apo grupeve të organizuara, të cilat bëjnë identifikimin e nevojave me rëndësi të njëjtë në veprimtaritë e tyre.
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Majlinda Krasniqi tha se bashkëpunimi i bizneseve me komunën ka rëndësi të madhe. Ajo bashkë me drejtorin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifin u zotuan se do të bëjnë të pamundurën për t’i mbështetur ata me mundësitë që I kanë.
“Brenda kapaciteteve të drejtorive do të bëjmë të pamundurën që bizneset t’i tejkalojnë problemet që i preokupojnë dhe brenda mundësive do t’i adresojmë edhe tek institucionet e larta përkatëse”, tha drejtoresha Krasniqi.
Ndërkaq, menaxheri i produktit Agro- KEP Trust, Muharrem Krasniqi tha se natyra e KEP-it si bankë mikrofinanciare, synon përmirësimin e kushteve të jetesës së klientëve, veçanërisht atyre të zonave rurale.
Banka KEP, ishte një nga sponsorët që e mundësuan edhe panairin e produkteve vendore në Kamenicë.
“KEP-i është i gatshëm që edhe në të ardhmen të jetë pjesë e organizimeve të tilla, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Kamenicës dhe mbarë Kosovës”, përfundoi Krasniqi.
Drejtoresha Majlinda Krasniqi bashkë me përfaqësuesin e bankës KEP, në fund të takimit u kanë ndarë mirënjohje të gjitha bizneseve që ishin pjesmarrëse në panairin e mbajtur javë më parë.