Bizneset dhe qytetarët vullnetmirë kanë dhënë në vazhdimësi donacione me të holla, nga të cilat janë ndihmuar familjet të cilat janë në vetëizolim.
37 familje që gjenden momentalisht të vetëizoluara në Komunën e Kamenicës, janë ndihmuar me medikamente mjekësore dhe 53 termometra.
Shpërndarjen e këtyre mjeteve e kanë bërë vullnetarët që po punojnë pa u ndalur.
Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati ka falënderuar të gjithë donatorët dhe vullnetarët të cilët janë pranë nesh dhe secilës familje që ka nevojë.
“Me paratë e mbledhura nga bizneset e qytetarët vullnetmirë, 37 familje në vetizolim janë ndihmuar me medikamente mjekësore e 53 termometra janë shpërndarë deri më tani. Përkujdesjen për furnizimin e shpërndarjen e tyre, po e bëjnë vullnetarët që po punojnë pa ndalë. Për 70 orë kanë vizituar 13 fshatra, vetëm për medikamente. Pa llogaritur edhe dërgesat e pakove ushqimore për familjet në nevojë”, ka thënë Kastrati.