Faton Bislimi, që për publikun gjilanas është i njohur edhe me kandidaturat e tija të mëhershme për kryetar komune, tani në zgjedhjet e 22 tetorit, do të jetë në një rol krejt tjetër, në atë të bartësit të listës së kandidatëve për këshilltarë komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai është shprehur i bindur në fitore dhe në vazhdimin e qeverisjes së Gjilanit nga ky subjekt politik.
“Është kënaqësi e madhe të hyjë në një betejë të cilës paraprakisht i dihet rezultati”, ka thënë Bislimi, duke aluduar në fitoren e sigurt të LDK-së.
Madje, ai edhe për garën tjetër, atë për kryetar komune, thotë se kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri, padyshim se do të jetë fitues. Sipas tij, Haziri është hera e katërtë që po e kërkon mandatin e qytetarëve të Gjilanit për kryetar komune dhe se, si ka fituar tri herë të tjera, do të ketë sukses edhe herë ne katërtë.
Përndryshe, në këtë sfidë të re për të, Bislimi ka përgëzuar ekipin me të cilën LDK do të garojë për asamble komunale, duke u shprehu i lumtur që është pjesë e një ekipi, ku, siç thotë ai, të gjithë kanë kurajën, vullnetin e madh, dëshirën dhe ambicien për të qenë të suksesshëm, jo vetëm për vetën e tyre, por mbi të gjitha për qytetarët e Gjilanit.
Për LDK-në, ka thënë se është një subjekt bazament i institucioneve të cilat kanë mbajtur Republikën edhe kur Kosova nuk njihej ndërkombëtarisht si shtet, por edhe më pas, edhe atë si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal.
I bindur se LDK do të qeverisin sërish me Gjilanin, Bislimi ka thënë se do të vazhdojë një qeverisje me zhvillim të hovshëm të Gjilanit, ashtu siç ka qenë i hovshëm edhe në këto katër vite që po i lëmë pas, ndërsa ka premtuar se do të jetë zë i qytetarëve dhe ndërtues i një ekipi që qon përherë drejt fitoreve.