Shkrimtari nga Presheva, njëherit kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve „Feniks „ Preshevë, Bilall Maliqi, me sukses u prezantua në revistën prestigjioze të Novi Pazarit „Sent“.
Sipas shkrimtarit Maliqi, revistën në fjalë e drejton shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu i njohur nga Novi Pazari, Enes Haliloviq.
Gjithnjë sipas tij këto dy poezi i kishte shkruar vetë ai në gjuhën serbe, në mënyrë që ta prezantonte Luginën e Preshevës në një manifestim të mbajtur kohë më parë në qytetin e Novi Pazarit.
„Në Manifestimin që u mbajt kohë më parë në qytetin e Novi Pazarit, nën organizimin e bibliotekës së qytetit „Dositej Obradoviq“, e cila i mblodhi shkrimtarët e pakicave kombëtare në Serbi, u prezantova me këto dy poezi të shkruara direkt në gjuhën serbe, të cilat i lekturoi gjuhësisht poeti boshnjak Enes Nikshiqi dhe po këto poezi u botuan në këtë revistë të njohur letrare të Novi Pazarit“, theksoi Maliqi.
“Jam i gëzuar që krahas gjuhëve të tjera që m’u kanë përkthyer poezitë e mia, ja që edhe në gjuhën serbe u prezantova me këto dy poezi, dhe në një të afërme do të prezantohem edhe në një revistë tjetër letrare të qytetit të Nishit me pesë poezi“, thotë shkrimtari Maliqi.
Poashtu në procesin e përkthimit është edhe libri i radhës me poezi në gjuhën spanjolle nga përkthyesi brilant Peter Tase./Titulli.com/