Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se në të gjitha xhamitë e Kosovës janë mbledhur 304 302.89 euro për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se, në aksionin e ndërmarrë, sipas urdhrit të Myftiut Naim ef. Tërnava, që në të gjitha xhamitë e Kosovës, pas namazit të xhumasë, më datë 29.11.2019, të mblidheshin ndihma për të dëmtuarit nga fatkeqësia e tërmetit në Shqipëri; janë mbledhur gjithsej 304 302.89 euro (treqind e katër mijë e treqind e dy euro e tetëdhjetë e nëntë centë).
Në ditën kur u ndërmor ky aksion, që ishte ditë e premte kur imamët mbajnë ligjëratën e rregullt javore në hytbe, imamët janë orientuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame që të flasin për vlerën e ndihmës-sadakasë, për kuptimet e vëllazërisë kombëtare dhe që të rikujtojnë xhematin që të luten e t’i ndihmojnë motrat e vëllezërit nga Shqipëria në të gjitha format e mundshme, përfshirë edhe nëpërmjet aksionit që po ndërmerrej në xhami, thuhet në njoftim.